Sipas raportimit të mediave, thuhet se AKR’ja dhe Alternativa kanë bërë kërkesë në KQZ që subjektet e tyre të jenë në një grup të vetëm parlamentar, e jo me LDK’në e Isa Mustafës. Këtë raportim, e kanë hedhur poshtë Korab Sejdiu nga AKR dhe Mimoza Kusari – Lila nga Alternativa

Megjithatë, Gazeta Express ka kontaktuar me Korab Sejdiun nga AKR’ja i cili tha se për këtë gjë ka dëgjuar vetëm nga mediat dhe se nuk është në dijeni për një kërkesë të tillë.

“Nuk jam në dijeni se është bërë një kërkesë e tillë, këtë nga mediat po e dëgjoj”, tha Sejdiu.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Mimoza Kusari – Lila për Express, e cila ka thënë se LAA vazhdon të punojë në grup.

“Jo nuk është e vërtetë, ne jemi prapë një grup parlamentar dhe po veprojmë bashkë dhe koordinimin për votim dhe procedura në Kuvend i kemi të përbashkët”, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari – Lila gjithashtu ka konfirmuar se sot gjatë ditës, Avdullah Hoti, Korab Sejdiu dhe Ilir Deda ishin në një takim të partive.