Dy viktima, 39 të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë është bilanci i tërmetit me magnitudë 4.0 ballë që goditi mbrëmjen e shkuar ishullin e Iskias në Itali.

Sipas Institutit Italian të Sizmiologjisë, tërmeti arriti një thellësi 5 km nën tokë, ndërkohë që është shoqëruar edhe nga 14 lëkundje më të lehta.

Në komunën Casamicciola, zonën më të prekur nga ky tërmet, është mundur të shpëtohet edhe djali 11-vjeçar i cili për mëse 14 orë kishte mbetur i bllokuar në gërmadhat e shtëpisë së tij. Më herët, skuadrat e shpëtimit arritën të nxirrnin nga gërmadhat dy vëllezërit e tij më të vegjël, 7 vjeç dhe 7-muajsh.

Ka shpëtuar mrekullisht edhe nëna e fëmijëve, e cila është në pritje të fëmijës së saj të katërt.

Ishulli i Iskias në brigjet e Napolit ka një popullsi prej rreth 50,000 personash dhe është një destinacion turistik popullor.

Shumë turistë ndodheshin në bare dhe restorante kur filluan lëkundjet. Ata e kanë përshkruar tërmetin si një eksperiencë të tmerrshme, pasi pjesë të ishullit u zhytën në errësirë totale dhe godinat u shembën.

Gjatë natës, autoritetet vendosën tragete nga Napoli në Iskia për të sjellë më shumë skuadra shpëtimi në ishull dhe për të lejuar pushuesit të largoheshin.

Të paktën 1,500 persona raportohet se kanë mbetur të pastrehë për shkak të dëmeve materiale.