(Çfarë reformash mund të priten nga Qeveria me ministra të popullit përqindje?)

Abdulla Mehmeti

Në Republikën e Maqedonisë, sipas të dhënave zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave dhe burimeve të tjera relevante, dëshmohet se në nivel të shtetit:

mbi 35% e fëmijëve të sapolindur, sipas përkatësisë etnike të prindërve, janë shqiptarë;

mbi 35% e çifteve bashkëshortore të kurorëzuara, familjeve të reja sipas përkatësisë etnike, janë shqiptarë;

mbi 35 % e nxënësve në shkollat fillore sipas përkatësisë etnike, janë shqiptarë.

Numri i banorëve shqiptarë në Maqedoni nuk dihet saktë. Regjistrimi i popullsisë nuk është bërë që nga viti 2002.

Prandaj, edhe këto të dhëna sipas Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoni (prej nga del se numri i shqiptarëve është mbi 35%) duhet të merren me rezervë, duke marrë parasysh se ky institucion përherë ka shprehur tendenca për zvogëlimin e numrit të shqiptarëve.

Sipas të dhënave për përfaqësimin e shqiptarëve në organet e pushtetit, institucione dhe administratë, rezulton se:

me 16,6 % shqiptarët përfaqësohen aktualisht në Parlamentin e këtij shteti, ku nga gjithsej 120 deputetë sa ka ky organ ligjdhënës, partitë politike të shqiptarëve kanë vetëm 20 deputetë;

afër 19,3 % e të punësuarve në administratë në nivel të shtetit janë shqiptarë, sipas të dhënave zyrtare më të fundit, të cilat duhet të merren me rezervë, përderisa ende ka institucione ku përfaqësimi i shqiptarëve është tepër simbolik, ose ku shqiptarëve u ndalohet qasja në ato.

Sipas Kushtetutës së Maqedonisë (1991), e ndryshuar përmes amandamenteve të reje në vitin 2001, në frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, të drejtat e pupullit shqiptar janë përkufizuar si të drejta të ,,bashkësisë etnike që përbën mbi 20% të popullsisë në Maqedoni”, ndërsa numri i vogël i deputetëve shqiptarë në Parlamentin e këtij shteti (aktualisht 20) nuk mundëson as ngritjen e iniciativës për ndryshime të reja të kësaj Kushtetute, për të cilën shqiptarët duhet të kenë së paku 30 deputetë.

Numri mbi 30 deputetë shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë është shumë i rëndësishëm, dhe nuk përbën më tepër se 25% të numrit të përgjithshëm të deputetëve (120) sa ka gjithsej ky organ më i lartë i shtetit, aq sa pranohet zyrtarisht numri i përgjithshëm i banorëve shqiptarë, edhe përkundër të gjitha manipulimeve dhe falsifikimeve që u përmendën në lartë në dëm të shqiptarëve, për zvogëlimin sa më të madh të numrit të tyre në Maqedoni.

Nga kjo mund të përfundojmë se, ky nuk është vetëm problem që buron nga diskriminimi i hapur institucional ndaj shqiptarëve nga të tjerët dhe nga organet e pushtetit, por edhe rezultat i pazareve politike të derisotme, mes krerëve të shtetit në Maqedoni dhe përfaqësuesve të partive politike të shqiptarëve.

Në anën tjetër, edhe të dhënat jozyrtare të ekspertëve shqiptarë për çështje të statistikave duhet të merren në konsideratë, se numri i përgjithshëm i banorëve shqiptarë në Maqedoni mund të jetë më i lartë se 40%, njëherësh duke marrë parasysh edhe konstatimin e Alenacës më të fuqishme ushtarake–politike të botës së sotme, NATO-s, e cila në samitin e 25-të të saj në Çikago (20 maj 2012) ka deklaruar se numri i banorëve shqiptarë në Maqedoni është mbi 40%.

Nga krahasimet e paraqitura më lartë, mes numrit të përgjithshëm të banorëve shqiptarë në Maqedoni dhe nivelit tepër të ulët të përfaqësimit të tyre në organet e pushtetit, institucione dhe administratë,* mund të përfundojmë se kjo gjendje është tepër shqetësuese për qytetarët shqiptarë dhe partitë politike të tyre në Maqedoni.

* Këtu duhet të merret parasysh strategjia perfide e pushtetit, për krijimin e një pasqyre të rrejshme para opinionit të brendshëm dhe para faktorit ndërkombëtar, përmes pjesëmarrjes formale të shqiptarëve në Qeveri, me përfshirje të konsiderueshme të ministrave dhe zëvendësministrave shqiptarë, të përshtatshëm dhe kontrolluar nga pushteti, të cilët ky pushtet i përdor vetëm si instrument politik për kamuflimin e diskriminimit institucional të shqiptarëve dhe heshtjen e kërkesave të tyre të natyrshme për barazi të plotë, jo si pakicë kombëtare por si popull shtetformues në Maqedoni.