Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Agim Bahtiri, ka thënë se Kosova po ngec në procese shumë të rëndësishme, si pasojë e mosformimit të institucioneve.

Bahtiri, njëherësh kryetar i Mitrovicës, ka theksuar se në javët e fundit vendi ka humbur dhjetëra miliona euro nga bashkësia ndërkombëtare.

“Kosova po kalon nëpër procese shumë të rëndësishme, ku vetëm javët e fundit kemi humbur dhjetra miliona euro nga bashkësia ndërkombëtare. Po ashtu edhe procesi i liberalizimit të vizave ka ngecur, duke mbetur Kosova vendi më i izoluar në Evropë”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

“Kjo bllokadë institucionale është e patolerueshme”, është shprehur Bahtiri.

“Prandaj nuk kemi kohë për të humbur dhe besoj se Qeveria do të formohet shumë shpejt”, ka shkruar ai.