Mundësia e një bashkëqeverisje mes socialistëve dhe demokratëve nuk është një “variant i ri” i cili është shtruar në tryezë ditët e gushtit, por një opsion që ka dalë në horizont qëkur Edi Rama dhe Lulzim Basha arritën të bëjnë një pakt në prill të këtij viti.

I pyetur në lidhje me mundësinë e një bashkëqeverisje në “hije” mes PS e PD-së, aleati i demokratëve Nard Ndoka është shprehur se për këtë çështje duhet një debat politik më i gjerë, por:

“Kjo kërkon një debat politik më të gjerë, por nuk mendoj se është në interes të opozitës një bashkëqeverisje e PD-së me PS-në. Nisur nga problematikat që u panë dhe u evidentuan në zgjedhje, unë e shoh një mision të pamundur bashkëqeverisjen”.-tha Ndoka për Panorama.

Por pavarësisht se Ndoka dhe aletatët e tjerë (Mediu e Shehi) janë të mendimit se bashkëqeverisja PS- PD është e pamundur dhe në dëm të demokratëve, mendimet e tyre nuk “konvergojnë” kur fjala vjen tek ministrat teknikë të PD-së.

Si Fatmir Mediu ashtu edhe Dashamir Shehi kanë dalë haptaz pro largimit nga qeverisja të ministrave teknikë të PD-së, një kritikë kjo kundrejt Lulzim Bashës. Por Nard Ndoka I demokristianëve mendon krejt ndryshe.

“Normalisht, ajo është një marrëveshje politike, serioze dhe e rëndësishme për opozitën, pavarësisht problemeve që u evidentuan në zgjedhje me vjedhje vote etj. Unë mendoj se ministrat teknikë duhet të vazhdojnë detyrën që kanë marrë deri në ardhjen e qeverisë së re. Nuk besoj se ka ndonjë rëndësi tërheqja e tyre në këtë moment. Nuk është kjo pjesa më e rëndësishme për opozitën. 

Përkundrazi, qëndrimi deri në fund në detyrë i ministrave tregon respekt ndaj asaj marrëveshjeje që u votua edhe në Parlament. Këto janë thirrje të dëshpëruara dhe për të bërë politikë në 42 gradë celsius. 

Tërheqja e ministrave nuk i jep rëndësi dhe seriozitet marrëveshjes, që e thashë se ishte shumë e rëndësishme për opozitën. Vazhdimi i detyrës nga ana e ministrave është dhe një detyrim kushtetues dhe tërheqja nga detyra është edhe braktisje e përgjegjë- sisë që ata kanë marrë”, ka thënë Ndoka për Panorama.