Brahim Muklani ka 33 vjet që është pjesëtar i sigurimit në hekurudhat e Kosovës dhe thotë se ky vit duket të jetë më i vështiri për të gjatë tërë këtyre viteve punë.

Brahimin e ka shqetësuar vendimi i TrainKos-it për ndërprerjen e qarkullimit të trenave në linjat Prishtinë-Pejë dhe Hani i Elezit, raporton KTV.

Kjo për shkakun se me ndërprerjen e këtyre linjave, pos që kanë mbetur keq qytetarët që udhëtojnë me tren, edhe shumë punëtorë rrezikojnë të mbesin pa punë.

Frika se edhe rreth 700 punëtorë të tjerë do të mbesin pa punë, ka shtyrë Sindikatën e punëtorëve të TrainKos-it të protestojë.

Ata, këtë të mërkurë, në shenjë proteste, kanë ndërprerë për rreth një orë linjën e vetme të udhëtarëve, e cila funksionon aktualisht, atë Prishtinë-Shkup dhe anasjelltas.

Javën e kaluar, ndërmarrja “TrainKos” mori vendim që të ndërpriten linjat e udhëtarëve, për shkaqe buxhetore, ku për situatën e krijuar, kjo ndërmarrje e ka bërë përgjegjëse Ministrinë e Infrastrukturës.

Por, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës kanë thënë që buxheti në vlerë prej më shumë se 1 milion euro është ndarë për tërë vitin 2017.

“Si rezultat i tërë kësaj mund të konkludojmë që prerjet buxhetore janë faktori kyç që determinon pjesën e obligimeve në raport me çështjen e ngritur”, kanë thënë ndër të tjera zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, përmes një përgjigjeje me shkrim.