Një 28-vjeçar nga Lushnja është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se i ka vënë gjobë shoqes së tij të gjimnazit.

Ngjarja është denoncuar në Komisariatin nr.2 nga e dëmtuara, e cila ka deklaruar se autori e ka kërcënuar me jetën e saj dhe të fëmijës së mitur. Burime nga Policia thanë se i arrestuari është shtetasi Kleanth Todri, 28 vjeç, i cili nuk ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij.

Megjithatë, burimet thanë se si provë për arrestimin e tij, veç deklarimeve të të dëmtuarës, kanë pasur edhe mesazhet që i riu i kishte dërguar asaj gjatë muajve të fundit.

“Të shtunën, rreth orës 18:30, u arrestua në flagrancë shtetasi Kleanth Todri, 28 vjeç, pasi në mënyrë të përsëritur ka kanosur për jetën e saj dhe fëmijës së mitur shtetasen D.D., 30 vjeçe, banuese në Tiranë, për t’i dhënë një shumë eurosh”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës.

Burimet thanë se Todri i kërkonte 30-vjeçares shumën prej 2 mijë eurosh, në të kundërt e kërcënonte se do ta vriste atë dhe vajzën e saj të mitur. Në këto rrethana, shtetasja me iniciale D.D. i është drejtuar Komisariatit nr.2 ku ka denoncuar ish-shokun e saj për “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

KALLEZIMI

Mesditën e së shtunës, 30- vjeçarja me iniciale D.D., nënë e një fëmije të mitur, është paraqitur në Komisariatin nr.2, ku në gjendje të rënduar psikologjike ka denoncuar për gjobëvënie shokun e saj të gjimnazit, nga Lushnja.

Nëna e re ka deklaruar se shtetasi Kleanth Todri i ka kërkuar asaj 2 mijë euro, duke e kërcënuar me jetën e saj e të vajzës së mitur. Por duke qenë se nuk kishte mundësi që t’i gjente këto para dhe përballë faktit se i kishte dhënë disa herë para e ai nuk ia kishte kthyer, e dëmtuara ka vendosur ta denoncojë në polici.

Burimet thanë se Todri në mënyrë të vazhdueshme i ka marrë shuma të ndryshme parash shtetases në fjalë, të cilat ia ka kërkuar në formë borxhi. Por sipas të dëmtuarës, shumat e mëparshme që i ka dhënë kanë qenë jo më shumë se 100 euro.

Ndërsa kësaj here ai i ka kërkuar 2 mijë euro. Në momentin që ajo i ka thënë se nuk i kishte aq para, ai ka nisur ta kërcënojë, me telefonata dhe me mesazhe që janë administruar si provë nga ana e Policisë.