Kanë kaluar 14 vite që kur Cristiano Ronaldo prezantoi vetën para botës së futbollit. Sot, portugezi është futbollisti më i mirë në botë, fituesi aktual i “Topit të Artë”, që numëron katër trofe gjithsej.

Me gjashtë gusht të vitit 2003, Cristiano Ronaldos iu dha një mundësia t’i dëshmojë kualitetet për herë të parë ndaj një kundërshtari të madh Evropian, ishte miqësorja kundër Manchester Unitedit.

Portugezi e nisi titullar atë ndeshje për shkak të largimit të Quaresmas drejt Barcelonës, ishte trajneri aktual i Portugalisë, Fernando Santos, ai që i dha mundësinë.

Portugezi nuk zhgënjeu, la të gjithë pa fjalë me paraqitjen, teksa asistoi në fitoren prej 3:1 të Sporting Lisbonës ndaj Manchester United, çka edhe e shtyri Sir Alex Fergusonin të përfundojë atë ditë transferimin, i cili pesë ditë më pas u prezantua në “Old Trafford”.

Ferguson i dha menjëherë numrin shtatë portugezit, që ishte lënë i lirë pas largimit të David Beckham.