Policia katalunase e ka konfirmuar zyrtarisht se si pasojë e sulmit terrorist në Barcelonë, 13 persona kanë mbetur të vrarë dhe 50 të tjerë janë plagosur.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasdite në Las Ramblas, njërën prej rajoneve më të frekuentuara në qendër të qytetit. Një kohë pas sulmit, policia tha se bëhet fjalë për ‘akt terrorist’.

Së paku një person është arrestuar në lidhje me sulmin. Policia ka evakuuar zonën dhe transporti është ndërprerë për disa orë.

Kryetarja e Barcelonës dhe Presidenti i Katalunisë i kanë ndërprerë pushimet dhe janë kthyer me urgjencë në Barcelonë, kurse Mbreti Felipe VI ka thënë se po i ndjek zhvillimet me vëmendje.