Një zjarr i përmasave të mëdha në afërsi të qytetit të Tepelenës po rrezikon edhe jetën e njerëzve.

Nga zjarri i cili po përhapet me shpejtësi rrezikohet lagjja ‘15 shtatori’, spitali dhe depot e ujit. Për shuarjen e zjarrit kërkohet ndërhyrje me helikopter, pasi terreni është i vështirë. Vatra e zjarrit është në kodër dhe po zbret me shpejtësi drejt qytetit.

Ndërkohë në një prononcim për mediat, kreu i Emergjencave Shemsi Premçi është shprehur se situata është emergjente dhe janë marrë masat e nevojshme, po ndërhyrja nga ajri mund të bëhet vetëm nesër.

“Një zjarr i madh ka rënë mbi kodrën mi qytetin e Tepelenës, Vatra e zjarrit ndodhet 500 metra në largësi nga banesat dhe spitali i qytetit. Nesër do të ndërhyjmë nga ajri me helikopter dhe kjo do të ndodhë nëse vatra e zjarrit do të vazhdojë më shumë dhe nuk do të mund të shuhet. Mendojmë se zjarri do të fiket shumë shpejt, ndërsa era favorizon që zjarri të shkojë në lartësi jo drejt banesave”, tha Premçi.