Prej 20 ditësh, harta dixhitale që tregon se sa përqind e territorit shqiptar ka riskun të përfshihet nga zjarret tregon se mbi 80% e vendit gjendet në rrezik.

Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi thotë se vetëm gjatë 24 orëve të fundit ka patur tre raste që kanë kërkuar ndërhyrjen nga ajri në Berat, Konispol dhe Bulqizë.

Por Prençi kërkon më shumë angazhim nga pushteti vendor, për të mos lejuar riaktivizimin e vatrave të zjarrit, si rasti më i fundit në Berat.

“Edhe pse u fik, zjarri në Berat është riaktivizuar. I bëjmë apel pushtetit vendor, kryesisht zjarrfikësve që varen nga pushteti vendor që e kanë detyrim pas fikjes së zjarrit, perimetri duhet punuar hollësisht me pompa shpine e lopata që vatrat të mos riaktivizohen, sepse kjo e bën edhe më të vështirë ndërhyrjen, qoftë dhe me mjete ajrore”, deklaron Prençi.

Kreu i Emergjencave kërkon po ashtu intensifikimin e kontrollit për kapjen e zjarrvënësve. “Duhet të angazhohen të gjitha strukturat e policisë dhe prokurorisë për të hetuar dhe ndëshkuar zjarrvënësit, pasi zjarri vërtetë po kërcënon Shqipërinë”, apelon Prençi.

Në mbledhjen e fundit të emergjencave iu kërkua pushtetit vendor të informojnë në kohë reale lidhur me zjarret që shfaqen. Ndërsa dy helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes do të patrullojnë të gjithë territorin për të raportuar mbi vatrat e zjarrit.