Detaje të reja janë dhënë nga policia e Vlorës për zhdukjen në det të biznesmenit nga Vlora Adriano Jaho 52 vjeç dhe ndihmësit të tij Ariseld Maze 28 vjeç, të cilët kishin dalë në bregdetin e Durrësit për të promovuar skafin në det dhe kanë humbur kontaktet prej datës 4 korrik.

Sipas kallëzimit të familjarëve, ata janë larguar nga Vlora në drejtim të Durrësit në datë 3 korrik për të marrë një skaf të cilin e kishin ankoruar në Durrës.

Ndërkohë policia kufitare e Durrësit ka bërë verifikimet e regjistrave për hyrje-daljet, ku rezulton se dy të zhdukurit nuk kanë hyrë dhe nuk kanë dalë në portin e Durrësit.

Sipas Policisë, ata kanë dalë në orën 10:30 nga Vlora në drejtim të Durrësit. Mjeti i ujit që do të provonin ka qenë i ankoruar në Durrës. Që nga ajo ditë ata nuk janë kthyer më.

“Sipas kallëzimit të bërë nga familjarët e tyre, ata kanë deklaruar se këta dy shtetas janë larguar nga Vlora më datë 03.07.2017, rreth orës 10:30, në drejtim të qytetit të Durrësit me qëllim për të marrë një mjet lundrues detar tip Skaf, të cilin e kanë patur të ankoruar në Durrës dhe që prej asaj dite nuk janë kthyer më në banesë (Vlorë)”, njofton policia.

Policia ka bërë shpalljen në kërkim të tyre si persona të humbur dhe po punohet për gjetjen e tyre. /b.l/noa.al/