Euroambasadori, Samuel Zhbogar, ka vizituar fshatrat Zhelinë dhe Bërvenicë në Tetovë në kuadër të fushatës “BE për ty”, për të parë prej së afërmi implementimin e projekteve të financuara nga BE.
Zhbogar së bashku me kryetarin e komunës së Zhelinës, Fatmir Izairin, kanë vizituar stacionin e filtrimit në Zhelinë, përfundimi i të cilit pritet të zgjidhë problemin me furnizimin me ujë në këtë komunë. Izairi është ankuar për pengesat nga Ministria e Transportit.
“Patëm edhe një kontratë me Ministrinë e Transportit që ata të ndërtojnë aty ku komuna financon 550 mijë nga banka e investimeve dhe gjithçka në bankë është kryer. Dy herë shpallja është anuluar, njëherë për çështje teknike, ndërsa herën tjetër kinse oferta ishte më e madhe nga vetë vlera që ne kishim paraparë. Këtë ndihmë e kërkova edhe nga euroambasadori, pasi që kontrata ka qenë e përbashkët Komunë – Ministri e Transportit, me mjetet e BE-së”,– deklaroi kryetari i Komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi.
“Furnizimi i qytetarëve me ujë për pije është një nga përgjithësitë themelore që një komunë duhet të kryejë ndaj qytetarëve të vet. Ne si BE jemi të gëzuar që jemi pjesë e këtij projekti, që ju ndihmojmë me fonde në realizimin e projektit të furnizimit me ujë të rreth 40 mijë banorëve”,- tha euroambasadori, Samuel Zhbogar.
Zhbogar gjithashtu është takuar me kryetarin e Bërvenicës, Enver Pajazitin, dhe kanë inspektuar punimet në rrugën lokale Miletino-Çellopek, e cila po rikonstruohet me grand nga BE, si dhe ndërtimin e shkollës së re fillore në Gurgurnicë. Euroambasadori Zhbogar përgëzoi komunat e vogla që me gjithë vështirësitë arrijnë të ballafaqohen me probleme të mëdha. /tvm2