Qytetarët e Tokios sot në zgjedhjet lokale kanë zgjedhur Këshillin e qytetit, ku sipas parashikimeve të agjencive botërore, zgjedhjet mund të kenë implikime kombëtare për shkak të rënies së popullaritetit të kryeministrit aktual Shinzo Abe, raporton Anadolu Agency (AA).
Anketat parashikojnë se koalicioni i Tomin First no Kai, të ish moderatores televizive dhe guverneres aktuale të kryeqytetit japonez Tokio, Yuriko Koike (64), do të fitojë ndaj Partisë Liberal-Demokratike në pushtet të kryeministrit japonez e cila ka shumicën në Këshillin e Tokios që numëron 127 vende.
Rezultatet në zgjedhjet lokale edhe në të kaluarën kanë ndikuar në zgjedhjet kombëtare. Koike thuhet se synon të kthehet në Parlament për t’u nominuar për pozitën e kryeministrit.
Pas fitores së vitit të kaluar, Koike u bë gruaja e parë si guvernatore e Tokios. Ajo e ka quajtur parlamentin, ku dominonin deputetët e LDP-së, vend i politikave të errëta i cili udhëhiqet nga klubi i djemve të moshuar të cilët pengojnë programin e saj, përfshirë edhe uljen e kostos për Lojërat Olimpike 2020.
Kryeministri japonez Shinzo Abe që nga viti 2012 ka gëzuar një rejting të mirë në mesin e qytetarëve, por popullariteti i i tij dhe partisë që drejton ka shënuar rënie pas një seri skandalesh në disa muajt e fundit.