Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Mike Pence ka thënë se asnjë kërcënim nuk është më i madh për të tre shtetet baltike se sa ajo e paraqitur nga “fqinji i tyre i paparashikueshëm”, duke iu referuar Rusisë.

Ai tha se në Estoni, Rusia vazhdon të “kërkojë të ri-kufizojë kufijtë ndërkombëtarë me forcë” dhe të ndajë vendet evropiane.

Ky reagim vjen pas tensioneve mes SHBA-ve dhe Rusisë derisa kjo e fundit ka urdhëruar reduktim të stafit diplomatik amerikan.

Ky veprim ishte në hakmarrje për sanksionet e reja të SHBA-ve kundër Rusisë.

Pas takimit me presidentët e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, të gjithë anëtarë të NATO-s, Pence tha se mesazhi i Presidentit Donald Trump për këto vende ishte: “Ne jemi me ju”.

“Një NATO e fortë dhe e bashkuar është më e domosdoshme sot se në çdo moment që nga rënia e komunizmit një çerek shekulli më parë”, ka thënë ai në një konferencë shtypi në kryeqytetin estonez Talin.

“Asnjë kërcënim nuk duket më i madh për shtetet baltike se spektri i agresionit nga fqinji juaj i paparashikueshëm në lindje”.

Ai rikonfirmoi angazhimin e SHBA-ve për sigurinë e  këtyre vendeve derisa Rusia po përgatitet të mbajë stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë me aleatin e saj, Bjellorusinë në muajin e ardhshëm.