Kanë kaluar gjashtë vjet që nga aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për marrjen e pikave kufitare në veri të vendit. Në këtë aksion për vënien e rendit dhe kushtetutshmërisë në veri të Kosovës humbi jetën Enver Zymberi, polici i Njësisë Speciale.

Zymberi për të gjithë është heroi i Kosovës që dha jetën për shtrirjen e sovranitetit të Kosovës. Por, ka dallime të mëdha në mendime sa i përket përgatitjes, qëllimit dhe rezultateve që prodhoi aksioni i datës 25 korrik të vitit 2011.

Ndërkohë, institucionet e Kosovës e akuzojnë Serbinë për mos-bashkëpunim për zbardhjen e vrasjes së policit, Enver Zymberi.

Behar Selimi, zëvendësministër i Punëve të Brendshme thotë se Serbia po e mbanë peng zbardhjen e vrasjes së policit Enver Zymberi.

“Mendoj se të dyshuarit kryesorë edhe mund të qarkullojnë në Serbi, por Serbia nuk punon në këtë drejtim”, tha zv.ministri Selimi.

Ai ka shtuar se Policia e Kosovës dhe EULEX po vazhdojnë të bëjnë hetime dhe kanë gatishmëri që deri në fund të ndriçojnë këtë rast.

“Prokurori i EULEX-it e ka rastin dhe ka pasur disa rezultate, por dyshohet se i dyshuari kryesor akoma është në ikje për të cilin ka arrest ndërkombëtar”.

Një proces gjyqësor ishte zhvilluar për rastin e vrasjes së policit Enver Zymberi.

Por, të dyshuarit për vrasjen e Enver Zymberit, Radovan Radiq dhe Millovan Vllaskoviq në prill të 2015-së në gjykatën në veri të Mitrovicës janë shpallur të pafajshëm. /Kallxo.com

Global