Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, i cili u shkëput nga struktura e Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK) të udhëhequr nga Vesel Memedi, ka bërë fajtor pikërisht Vesel Memedin, për mosbashkimin e partive politike shqiptare opozitare për të dalë së bashku në zgjedhje e parakohshme parlamentare të dhjetorit të vitit 2016.

Sipas tij, Vesel Memedi e pengoi këtë bashkim e opozitës, me ndihmë të BDI-së.

”Ka vetëm një fajtor i cili mbanë përgjegjësi të plotë pse nuk erdh deri te unifikimi i opozitës shqiptare për zgjedhjet e vitit 2016, dhe ky emër identifikohet me Vesel Memedi. Ky është personi më përgjegjës i cili pengoi me të gjitha mjetet e veta, por edhe me ndihmëne partisë në pushtet, BDI-në, për të realizuar misionin e vet për mosunifikimin e opozitës shqiptare para zgjedhjeve të vitit 2016.

Për misionin e tij, ai edhe u shpërbly nga BDI-ja, me pozicionet dhe me vendin që e ka brenda BDI-së. Prandaj çdo dekalaratë e natyrës dhe akuzuese që mund të jetë nga ai është vetëm një shpifje e hapur që do t’i hudhe mjegull opinionit publik, por nuk do të ketë sukses. ”, deklaroi Zendeli.

Zendeli shtoi se nuk kishte ndarje në RDK, por ishte një person i vetëm i kryesisë qendrore që kishte një mendim të kundërt dhe ishte kundër unifikimit. Sipas tij, përmes BDI-së, Memedi arriti të sigurojë një vendim gjyqësor për të qenë kryetar i RDK-së..