Zbulohet shkaku i zjarrit në një apartament në lagjen “Visarion Xhuvani” në Elbasan. Duket se në këtë rast kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme. Nga hetimet e para rezulton se autorët kanë hedhur benzinë në derën e apartamentit dhe më pas i kanë vënë flakën. Sipas të dhënave, në këtë ngjarje janë përfshirë dy autorë të pajisur me motor.

Ngjarja ndodhi rreth orës 01.30 të së premtes. Njëri prej tyre është ngjitur deri tek dera, dhe pasi e ka spërkatur me benzinë, i ka vënë flakën. Fill pas kësaj ai ka zbritur nga shkallët dhe është larguar me motorin që e priste poshtë. Katër pjesëtarët e familjes B.G. kanë përjetuar një tmerr të vërtetë. Zjarri është përhapur me shpejtësi në korridor dhe ka qenë rastësi që ata e kanë kuptuar pasi kanë qenë zgjuar. Burime familjare pohuan për “Shekulli” se u ndodhën të bllokuar nën flakët e zjarrit  dhe asfiksisë nga tymi dhe se e kanë pasur të vështirë të hapin dritaret. Në ndihmë u kanë ardhur edhe fqinjët për të fikur flakët.

Më vonë kanë mbërritur edhe zjarrfikëset dhe policia. Burime familjare bënë me dije se nuk kanë asnjë hasmëri me askënd dhe nuk e dinë pse janë bërë pre e një zjarrvënie të qëllimshme. Familja e B.G njihet për bamirësinë që ka bërë në qytet dhe kjo shton akoma më shumë misterin e sulmit me zjarr. Gjithsesi çështja është nën hetim dhe policia administron edhe pamjet filmike të kamerave të bizneseve dhe shtëpive aty pranë. Ende nuk ka një autor të dyshuar për këtë ngjarje. /Fatos Salliu/