Një atentat me armë ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në Lezhë, ku mbeti i plagosur me armë një 47-vjeçar, shofer i linjës nga fshati Kalivaç për në qytet.

Burime nga policia thanë mbrëmjen e sotme se është bërë i mundur identifikimi dhe ndalimi i një prej autorëve të dyshuar.

Ja çfarë thotë policia:

Më datë 11.07.2017, rreth orës 05:15, jemi njoftuar se në Kalivaç në Lezhë, është plagosur me armë zjarri shtetasi A.Gj. 47 vjeç , banues në Kalivaç Lezhë.

Më të marrë njoftimin , nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Lezhës , është formuar grupi hetimor, ku është shkuar në vendin e ngjarjes dhe janë kryer të gjitha veprimet hetimore për të bërë të mundur zbardhjen e kësaj ngjarje kriminale dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Nga hetimet ka rezultuar se, kur shtetasi A.Gj. ka qenë duke udhëtuar i vetëm me automjetin e tij tip Benz furgon, në Kalivaç , është qëlluar disa herë me armë zjarri nga 2 persona , ku si rezultat i të shtënave ka ngelur i plagosur në pjesën e këmbës.

Është dërguar menjëherë në spitalin Rajonal Lezhë, për dhënien e ndihmës mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Si rezulat i veprimeve të shpejta profesionale e hetimore, si dhe duke bashkëpunuar me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë , është bërë i mundur identifikimi dhe lokalizimi i autorit të dyshuar, ku falë koordinimit efikas të punës me policinë e Kukësit , u arrestua në flagrancë në tentativë për tu larguar jashtë vendit nëpërmjet pikës së kalimit Kufitar Morinë Kukës , dhe konkretisht shtetasi:

Gjovalin Voci (Samuel Feta), 40 vjeç, banues në Kalivaç – Lezhë.

Nga terësia e veprimeve të deritanishme, dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur për motive të dobëta midis shtetasit A.Gj. dhe shtetasit Gjovalin Voci.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti i shtetasit të dëmtuar si dhe tre gëzhoja armë zjarri.

Dosja hetimore e proçeduriale i ka kaluar Prokurorisë së Lezhë për akuzat e “vrasje me dashje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarje, si dhe identifikimin e arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.