Shpresojmë se marrëveshja për fqinjësi të mirë me Maqedoninë do të nënshkruhet në gusht, deklaroi sot zëvendëskryeministrja bullgare dhe ministre e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, transmeton BTA.

Zaharieva theksoi se procesi është i gjatë dhe ka filluar që në vitin 2008, ndërsa deri më tani ka kaluar përmes 11 raundeve të negociatave, si dhe se Bullgaria gjithmonë ka qenë e hapur, por jo gjithmonë ka marrë reagim të tillë nga qeveritë paraprake të Maqedonisë.

“Dokumenti do të nënshkruhet në dy ekzemplarë, në dy gjuhët zyrtare sipas Kushtetutave të Bullgarisë dhe Maqedonisë. Kjo pikë është e pandryshueshme, më shumë kompromise nuk kemi ku të bëjmë”, deklaroi Zaharieva.

Në pyetjen e gazetarëve nëse do të ketë festim të përbashkët të Kryengritjes së Ilindenit, Zaharieva është përgjigjur se nënshkrimi i marrëveshjes do të ishte shenjë e qartë për atë se Maqedonia në praktikë dëshiron ta ndryshojë marrëdhënien e saj ndaj Bullgarisë.