Komisioni kuvendor për çështje evropiane në seancën e sotme e filloi debatin për Planin “3-6-9”, ndërsa rendi i ditës u plotësua me Deklaratën për përshpejtim të reformave dhe proceseve euro-integruese për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO, i cili tekst, siç tha kryetari i komisionit Artan Grubi, është harmonizuar me konsensus.

Planin “3-6-9” para deputetëve dhe anëtarëve të korit diplomatik e elaboroi kryeministri Zoran Zaev, ndërsa fjalime të tyre kishin edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe zëvendëskryeministri për eurointegrime Bujar Osmani.

Kryeministri Zaev theksoi se Plani “3-6-9” në vetvete përmban perspektiva të hapura dhe reale për Republikën e Maqedonisë dhe për qytetarët e saj drejt BE-së dhe NATO-s dhe në të njëjtën kohë ngritje serioze të cilësisë së përgjithshme të cilësisë së jetesës së të gjithë qytetarëve. Marrëveshja është përgatitur në mënyrë të hapur inkluzive dhe me të gjithë palët e involvuara.

“Plani është udhërrëfyes me qëllime kryesore të qarta të cilët duhet t’i realizojmë në rrugën e aspiratave tona euro-atlantike. Ky plan dhe realizimi i tij do të konfirmojnë se Republika e Maqedonisë paraqet një shtet të respektuar. Në takimet në Trieste isha i bindur se proceset do të përshpejtohen në qoftë se të gjithë si elita politike të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë hyjmë në pajtueshmëri më të madhe të mundur për arritje të qëllimit tonë të konfirmuar me Planin ‘3-6-9′”, tha Zaev.

Ai theksoi se nga një pjesë më e madhe e liderëve të pranishëm në Samitin në Trieste, Maqedonia ka marrë mbështetje të plotë, ndërsa siç tha ai, i ka porositur se ekziston vullnet politik edhe në Kuvend dhe në Qeveri që të mbështetet dhe pranohet agjenda për lidhshmëri të rajonit, për shkak se do të thotë shans për progres të Maqedonisë dhe të gjithë vendeve nga Ballkani Perëndimor.

“Kuvendi ka rol shumë të rëndësishëm dhe përgjegjës në realizimin e këtij plani tonë reformues për këtë arsye apeloj për bashkëpunim dhe shtrirje të dorës që të inkuadrohemi të gjithë në planin me kontribut të tij individual dhe kolektiv. Nuk kërkojmë nga opozita që të pranojë gjithçka, por kërkojmë që të marrë pjesë, të japë ide dhe të jetë partner konstruktiv, ndërsa nga shumica pres të ketë mirëkuptim për sugjerime të cilët vijnë nga opozita”, tha Zaev dhe shtoi se suksesi në fund do të jetë i përbashkët për të gjithë.

Kërkoi që të harrohen interesat partiake në emër të qëllimeve të planit, i cili, siç tha, do të jetë në dobi për të gjithë qytetarët e vendit. Në tre muajt e parë, potencoi, dëshirojmë ta realizojmë pakon e parë të reformave me qëllim që të sigurohet argument për KE-në që ta heqë kushtëzimin e rekomandimit për fillim të negociatave për inkuadrim.

“Për gjashtë muaj planifikojmë ta përfundojmë pakon e dytë të reformave me të cilën do të dërgojmë mesazh të fuqishëm deri te Këshilli i Evropës se realizuam rezultate serioze në disa sfera që do ta përforcojë perceptimin për Maqedoninë si vend kandidat për anëtare të BE-së. Për nëntë muaj së bashku ta implementojmë raundin e tretë të reformave dhe deri në raportin e ardhshëm të KE-së t’i bindim vendet-anëtare të fillojnë procedurë për konfirmim të datës për fillim të negociatave për inkuadrim për Maqedoninë”, tha Zaev dhe shtoi se Qeveria është tërësisht e hapur për bashkëpunim me të gjithë institucionet e shtetit dhe me sektorin civil.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi theksoi se sinjalet të cilat vijnë nga BE-ja dhe NATO tregojnë qartë një qasje më aktive të Brukselit në drejtim të integrimit të shteteve nga Ballkani Perëndimor, e me këtë edhe të Republikës së Maqedonisë.

“Mendoj se gjendemi para një sfide vërtet të madhe, ndërsa edhe një përgjegjësie të madhe historike, si para gjeneratave aktuale ashtu edhe të ardhshme, për realizimin e përcaktimit tonë strategjik, ndërsa unë do të them edhe përcaktim historik, e ky është integrimi në NATO dhe BE… Në ‘Planin 3-6-9’ i cili në të vërtetë del nga marrëveshja e njohur e Përzhinës, si dhe nga Programi qeveritar për vitin 2017-2020, ka edhe pjesë konkrete me masa konkrete të cilat kanë të bëjnë me punën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Mes tyre, ka disa masa me të cilat përforcohet roli mbikëqyrës i Kuvendit ndaj Qeverisë, gjegjësisht pushtetit ekzekutiv”, tha Xhaferi.

Theksoi se nga opozita presin sjellje të përgjegjshme në tërë procesin ligjdhënës, gjegjësisht funksionimin efikas të Parlamentit.

“Sipas mendimit tim, disa hapa të opozitës të cilat ditëve të fundit i sheh tërë opinioni i Maqedonisë, por edhe miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, nuk e ndihmojnë as demokracinë parlamentare e as reformat e nevojshme dhe proceset integruese në BE dhe NATO.Si i pari mes të barabartëve, unë nuk dua të gjykoj, megjithatë, si kryetar i Kuvendit, kam për obligim të siguroj funksionim normal të dhomës ligjvënëse. Për këtë shpresoj se Plani i propozuar qeveritar i njohur si ‘3-6-9’, si dhe Programi qeveritar 2017-2020, janë bazë e mirë për krijim e gjithëpërfshirjes së duhur mes të gjitha subjekteve parlamentare”, thekson Xhaferi.

Zëvendëskryeministri Osmani theksoi se zgjedhjet lokale janë test për Qeverinë dhe institucionet në drejtim të realizimit të reformave të nevojshme.

Shtoi se në tre muajt e parë duhen të zbatohen 73 masa prej të cilave, siç tha, vetëm një pjesë e vogël Qeveria mundet drejtpërdrejtë t’i realizojë, ndërsa të tjerët do të varen nga institucionet.

Theksoi se Qeveria është gjithëpërfshirëse dhe tërësisht e hapur për bashkëpunim me institucionet dhe me Kuvendin.

Theksoi se eurointegrimi i vendit është mbipartiak dhe nevojë mbietnike dhe shtoi se qytetarët nuk do t’ua falin politikanëve nëse e humbin mundësinë që u ofrohet për integrimin e vendit në BE dhe NATO.

Ilia Dimovski nga VMRO-DPMNE tha se nuk kanë për qëllim të jenë kundër, por jo edhe ta pranojnë tërësisht pa asnjë pengesë planin e Qeverisë.

Zeqirija Ibrahimi nga BESA vlerësoi se teksti i Planit “3-6-9” është mirë i konceptuar, konciz dhe i saktë.

Paralajmëroi se BESA ka përpiluar propozim për përdorimin e gjuhëve dhe se do ta lëshojnë në procedurë kuvendore kur do të vlerësojnë se duhet.

Tomislav Tunev nga LSDM-ja tha se atë që e kanë premtuar para zgjedhjeve me Planin “3-6-9” e zbatojnë në praktikë.