Janë bërë lëvizje të dukshme pozitive pas formimit të Qeverisë së re reformuese në Maqedoni, e cila ka mbështetje të fuqishme nga Gjermania. Kjo është theksuar në takimin e kryeministrit Zoran Zaev me sekretarin shtetëror për çështje evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Mihael Rot, që u mbajt pasdite në Qeverinë e Maqedonisë.

“Diplomati i lartë i Gjermanisë, Rot e ka uruar kryeministrin Zaev për emërimin e tij për kryetar të Qeverisë. Sekretari shtetëror gjerman Rot erdhi me mbështetje të fuqishme nga Gjermania për hapat e kryeministrit Zaev dhe të Qeverisë së Maqedonisë, në muajin e parë të formimit”, thekson në kumtesën pas takimit, shërbimi qeveritar për informim.

Rot, i ka përshëndetur në mënyrë të veçantë integrimet në sektorin qeveritar në proceset reformuese, si dhe politikat e fqinjësisë së mirë që i manifeston Qeveria e re.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e përcaktuar drejt politikave inkluzive të transparencës ndaj gjithë opinionit shoqëror, i cili dëshiron dhe mund të ndihmojë në realizimin e axhendës reformuese, duke përfshirë edhe opozitën. Gjithashtu jemi fuqimisht të orientuar drejt ndërtimit të urave të bashkëpunimit me fqinjët tanë dhe me miqtë e bashkësisë ndërkombëtare, të cilat i japin mbështetje të fuqishme Maqedonisë në proceset demokratike”, tha kryeministri Zaev.