Me miratimin e Planit aksional 3-6-9 Qeveria bën hapa për depërtim serioz drejt integrimeve euroatlantike pas ngecjes së gjatë, theksoi në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri kryeministri Zoran Zaev.

“Plani 3-6-9 hap perspektiva të Republikës së Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s të cilët jashtëzakonisht do ta përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve”, tha Zaev.

Ai shpjegoi se emërimi i planit 3-6-9 në fakt i shënon masat dhe aktivitetet që duhet të zbatohen gjatë tre, gjashtë, nëntë muajve të ardhshëm. Sipas tij, qëllimi është që deri në zgjedhjet lokale të caktuara për në tetor të këtij viti, Qeveria dorëzojë rezultatet e para, deri në dhjetor të hiqet rekomandimi i kushtëzuar, ndërsa deri në raportin e ardhshëm të KE-së në pranverë të vitit të ardhshëm Maqedonia të marrë edhe datë për fillim të negociatave.

“Paralajmërojmë Parlament demokratik, reforma në gjyqësi, media, luftën kundër korrupsionit, reforma në administratën publike, në legjislacionin zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE-së dhe ODIHR-së, kohabitacion me presidentin e shtetit…Do të bashkëpunojmë edhe me shoqërinë civile, me të cilën kemi qëllim që të zhvillojmë dialog i cili do të jetë transparent”, tha Zaev.

Zëvendëskryeministri për eurointegrime Bujar Osmani i shpjegoi masat dhe aktivitetet të përmbajtura në plan dhe tha se Qeveria duhet t’i realizojë, për shkak se, siç tha, paraqesin sfidë kombëtare.