Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev pas përfundimit të seancës së mbyllur të Komisionit kuvendor për politikë të jashtme me Bullgarinë tha se takimi ka qenë konsultativ dhe mundësi që ai dhe këshilltarët e tij të marrin sugjerime nga pushteti dhe opozita në Parlament në lidhje me këtë dokument.
Sugjerimet, që ai si negociues i Republikës së Maqedonisë i ka marrë, siç tha, do të merren parasysh dhe se ai akoma është i hapur për përmirësim.
“Dëshira jonë është ta nënshkruajmë marrëveshjen. Deri më tani kemi bazë të shkëlqyer për kompromis midis dy vendeve. Marrëveshje përfundimtare do të ketë me ratifikimin e ri në Parlament”, tha kryeministri.
Suksesi nga arritja eventuale e marrëveshjes, theksoi Zaev, do të jetë i përbashkët dhe nacional. “Suksesi do të jetë për të gjithë qytetarët dhe i të gjitha qeverive deri më tani dhe paraprakisht. Procesi ka filluar dhe udhëhiqet nga qeveria paraprake, ndërsa ne e finalizojmë”, theksoi ai. Ju bëri thirrje VMRO-DPMNE-së si dhe partive të tjera opozitare të vazhdojnë të marrin pjesë në konsultime dhe t’i japin mbështetje kësaj marrëveshje.
Sipas tij, marrëveshja është bazë për fqinjësi të mirë dhe miqësi, të dyja shtetet në të ardhmen do të punojnë më afër për sukses të ndërsjellë, ndërsa marrëveshja është e mirë edhe për interesat nacionale të Republikës së Maqedonisë.
“Me marrëveshjen Qeveria e RM-së edhe një herë e afirmon veçantinë e popullit të Maqedonisë, gjuhës maqedonase dhe identitetit maqedonas. Në marrëveshje nuk ka dilema se bëhet fjalë për dy shtete, dy popuj, dy gjuhë. Me marrëveshjen hapen perspektiva të reja në bashkëpunim me fqinjët dhe përshpejtim i procesit të integrimeve në Bashkimin Evropian dhe NATO. Me nënshkrimin e marrëveshjes ne bëhemi shembull për bashkëpunimin në EJL”, tha Zaev.
Marrëveshja, siç tha, do të ndihmojë në lidhjen e infrastrukturës rrugore dhe të gazit midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, do të zhvillohen këmbimi i mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. “Do të jepet impuls i fuqishëm në ndërtimit e Korridorit 8 për të cilin në Samitin e Triestes Maqedonia fitoi grant prej 70 milionë euro”, tha Zaev duke shtuar se gjithashtu do të ketë edhe lehtësime tatimore dhe kufitare. Vendkalimet kufitare ekzistuese do të rinovohen, ndërsa Qeveria e Maqedonisë, siç tha, do të kërkojë edhe vendkalim të ri në Berovë.
Kryeministri pret dhe dëshiron që marrëveshja të nënshkruhet gjatë vizitës së përfaqësuesve bullgarë në Maqedoni më 1 gusht. Më 2 gusht Maqedonia dhe Mali i Zi janë bashkëkryesues të takimit të vendeve të Kartës së Adriatikut, ku do të marrë pjesë edhe nënpresidenti i SHBA-së, Majk Pens.