Në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, kryeministri Zoran Zaev shprehu ngushëllime të thella për familjet e të gjithë të dëmtuarve në Srebrenicë, por edhe për të gjitha viktimat që e humbën jetën në luftën në Bosnjë e Hercegovinë, njoftoi shërbimi qeveritar për informim.

Sot, thekson Zaev, shënojmë dhe kujtojmë  një ditë të mundimshme, për të gjithë njerëzimin, por veçanërisht për popullin boshnjak.

“Ajo që ndodhi në Srebrenicë, para 22 vitesh është një nga humbjet më të mëdha të vlerave të civilizimit dhe mësim që dihet ta mësojmë, njëherë e përgjithmonë. Në këtë ditë, para 22 vitesh pasi më shumë se 8.000 persona u vranë, nuk është e mjaftueshme që të përsëritet “Asnjëherë më”, por të ballafaqohemi me të kaluarën dhe t’i përulemi viktimave. Ky krim kundër njerëzimit është një njollë e ndërgjegjes sonë kolektive, por edhe përkujtuesi më i fortë se duhet të kundërshtojmë çdo formë të dhunës dhe të qëndrojmë në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit”, citon Zaev.