Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mori pak më shumë se 27 përqind të votave në zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë, ka thënë se partia e tij parasheh bisedime me Malin e Zi për kufirin mes dy vendeve, nëse vjen në pushtet.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Visar Ymeri ka thënë se Prishtina duhet të bisedojë me Podgoricën për ta ndryshuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“Ne nuk duam konflikt me Malin e Zi, por duam marrëdhënie të mira”, ka thënë Ymeri.

Ai ka folur edhe për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se dialogu i deritanishëm në Bruksel më shumë ka shkaktuar dëme sesa ka sjellë dobi.

Ymeri ka thënë se Vetvendosja kërkon gjithashtu një qasje të re përsa i përket marrëdhënieve me Serbinë, të cilat, sipas tij, duhet të ndërtohen mbi parimin e fqinjësisë së mirë.