Një tjetër rrjet kokaine i drejtuar nga shqiptarët është shkatërruar nga autoritetet greke. Gjatë një hetimi disa mujor, policia mundi të identifikonte organizatën e drogës që funksiononte e ndarë në dy grupe. Në total janë arrestuar 23 persona, ndërsa ndaj 14 të tjerëve janë ngritur akuza mes të cilëve janë edhe 3 të burgosur. Sikurse bëjnë me dije autoritetet greke, kjo organizatë kriminale trafikonte kokainë nga Bolivia në Greqi, ku shitej në disa zona të Athinës.

Grupi i parë i organizatës kriminale

Grupi i parë përbëhej nga 17 anëtarë. Drejtuesi ishte një 44-vjeçar nga Shqipëria, i cili identifikohej me epitetet “Xhimi”, “Xhaxhai”, “Biondi” dhe “i shëndoshi”. Identiteti i tij nuk është bërë i ditur, por mediat greke shkruajnë se ai është arrestuar për herë të parë më 20 nëntor 2008 për trafik droge. Më 12 janar 2012 u lirua me kusht. Më 25 tetor 2013 u dënua sërish për trafik droge dhe organizatë kriminale, ndërsa më 9 prill 2014 shkeli lejen e dhënë për dalje nga burgu dhe u zhduk. Ndërsa zv/shefi i këtij grupi ishte një tjetër shqiptar, të cilit i referoheshin me emrat “Sandri”, “Mali”, “i shëndoshi”.

Ndërsa një 61-vjeçar nga Venezuela me epitetet “Pepe”, “Lukas”, “Gjyshi”, “Plaku” ishte personi që mbante kontakt me kartelin e drogës në Bolivi për t’u furnizuar me kokainë. Një 58-vjeçar grek nga Kreta magazinonte dhe fshehte drogën në Athinë, kurse një 53-vjeçar kolumbian ishte i përfshirë në shitjen e drogës në Spanjë dhe Holandë.

Anëtarët e grupit të parë të organizatës ishin ata që gjenin kokainën, duke negociuar me furnizuesit nga Bolivia, ndërmjetësonin me trafikantët në Holandë dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore.

Grupi i dytë i organizatës kriminale

Grupi i dytë përbëhej nga shtatë anëtarë. Ai drejtohej nga një 60-vjeçar grek që kishte në pronësi disa dyqane. Atij i thërrisnin “i shkurtër”, “basketbollisti” dhe “tregtari”. Ky grup kishte për detyrë menaxhimin e hyrjes së kokainës në Greqi nga vendet e Evropës dhe kishte lidhje me kartelet e Bolivisë.

Për t’u transportuar drejt Evropës e më pas drejt Greqisë, kokaina nisej nga Bolivia e fshehur në disa paketime kartoni të produkteve të ndryshme (shikoni fotot më poshtë). Këto kuti kartoni ishin të mbushura me drogë. Brenda tyre policia greke gjeti 15 kg kokainë. Hetuesit sekuestruan edhe 52 celularë, disa karta SIM dhe 7 fatura të depozitave bankare.

Lidhja me Bolivinë

Anëtarët e organizatës kriminale kishin lidhje të rëndësishme me anëtarët e karteleve në Amerikën Latine, kryesisht në Bolivi. Hetimet kanë zbuluar se 61-vjeçari venezuelian në prill 2017 kishte udhëtuar për në Bolivi dhe kishte marrë 5.3 kg kokainë për ta transportuar në Athinë, citon klan. Më 10 korrik 2017, ai vizitoi Athinën i shoqërua nga dy venezuelianë të tjerë 43 dhe 62 vjeç. Ky i fundit ishte i specializuar në përpunimin e kokainës.