Detyra e re si trajner i Shqipërisë për Christian Panuccin nis nga rikthimi i Taulant Xhakës në Kombëtare.

Trajneri i sapoemëruar i kombëtares ka qenë i pranishëm në shkallët e stadiumit St.Jakob Park për të ndjekur nga afër Taulant Xhakën me të cilin është takuar dhe ka pasur një bisedë për rikthimin e tij në kombëtare.

Megjithëse nuk ishte titullar në këtë ndeshje të Baselit ndaj Luzernës, Panucci është njohur më së miri me aftësitë e Xhakës dhe rolin e tij të rëndësishëm në skuadër dhe menjëherë ka udhëtuar drejt Zvicrës për ta njohur nga afër mesfushorin 26-vjeçar, shkruan SuperSport.

Për herë të fundit pjesë e kombëtares, Xhaka ishte në Palermo në ndeshjen ndaj Italisë dhe menjëherë pas përfundimit të asaj ndeshje ai u largua nga grumbullimi pasi ishte i pakënaqur me vendimet e ish-trajnerit De Biasi kundrejt tij që prej kampionatit evropian “Francë 2016”.

Ndërrimi i trajnerit në kombëtare është dhe një mundësi e re edhe për Xhakën i cili gjatë ndeshjeve të muajit qershor u la jashtë liste në formë ndëshkimi për largimin nga kombëtarja.