Ne nuk duhet t’i zgjidhim problemet të cilat as të tjerët nuk janë në gjendje t’i zgjidhin, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq në konferencën e sotme për shtyp në Selanik me kryeministrin grek Aleksis Cipras, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse Beogradi mund të jetë ndërmjetësues në kontestin për emrin midis Greqisë dhe Maqedonisë.

I pyetur nëse pajtohet me deklaratën e shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiq nëse njohja e Maqedonisë nën emrin kushtetues ishte gabim dhe nëse ka plan që ai vendim të ndryshojë, Vuçiq tha se nuk dëshiron para të huajve të flasë se cilat janë arsyet për atë, e as t’i kritikojë paraardhësit.

“Po të doja ta kritikoj ose përgënjeshtroj Daçiqin, atë do ta bëja deri më tani. Por më duket se këtë nuk e bëra”, shtoi presidenti serb.

Theksoi se Greqia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se çdoherë ka qenë me Serbinë kur ajo ka qenë në momente të vështira, ndërsa Beogradi në një periudhë të shkuar nuk ka treguar respekt të mjaftueshëm për këtë fakt.

“Serbia në të ardhshmen do të udhëhiqet nga interesat e saj dhe do t’ju ndihmojë në mënyrë miqësore atyre të cilët janë në anën e saj dhe të cilët kanë ndihmuar për ruajtjen e parimit të të drejtës ndërkombëtare. Në këtë kuptim miqtë grekë mund të konsiderojnë në mbështetjen tonë”, deklaroi Vuçiq.

Vuçiq informoi se me kryeministrin grek Aleksis Cipras ka biseduar për të gjitha çështjet në rajon dhe shfaqi shpresë se Qeveria e Athinës me Qeverinë e Shkupit do të bëjë marrëveshje më të mirë me të cilën të gjithë do të jenë të kënaqur. Kjo, sipas Vuçiq, do të jetë shumë e rëndësishme për rajonin.

Në Selanik sot mbahet takim trilateral i kryeministrave të Greqisë dhe të Bullgarisë, Aleksis Cipras dhe Bojko Borisov dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Para Samitit trilateral, paradite në Selanik u mbajt seanca e parë e Këshillit të lartë për bashkëpunim midis Greqisë dhe Serbisë.