Elda Tanushi 19-vjeçarja nga Dibra u la e lirë nga Gjykata pas tentativës për të helmuar vjehrrën. 

Eduart Stafa (vjehrri i Elda Tanushit), shprehet se ajo ishte si një gjarpër në shtëpinë e tyre, duke e akuzuar se kishte një lidhje tjetër dhe se nuk ka qenë e virgjër kur është martuar me të birin.

Madje, sipas tij, pas martese i dashuri i saj ka shtënë edhe me armë zjarri në drejtim të banesës së tyre, shkruan Panorama.

Eduart, nusja 19-vjeçare ju akuzon se keni abuzuar me të seksualisht dhe e keni përdhunuar. Si qëndron e vërteta?

Kjo është një akuzë absurde, 100 për qind e pavërtetë. Ajo është intrigante dhe e ka sajuar këtë për të shpëtuar nga burgu për veprimin e pafalshëm që bëri, teksa tentoi të helmonte bashkëshorten time, pra vjehrrën e saj. Kjo është një akuzë shumë e rëndë. 

Unë i hedh poshtë këto pretendime dhe jam i gatshëm për t’u vënë në dispozicion të policisë dhe prokurorisë që t’i shkohet deri në fund këtij absurditeti. Jam i gatshëm të bëjmë analizat në çdo moment, me qëllim që të dalë në dritë e vërteta.

Cila është e vërteta?

E vërteta është se ajo kërkon të shpëtojë nga burgu dhe prandaj ka bërë kundërakuzë. Unë e kam mbajtur dhe e kam trajtuar si ta kisha vajzën time (që nuk pata kurrë një vajzë). Të abuzoja me të do të ishte diçka e fundit që do më shkonte në mendje. Nuk jam i aftë ta bëj një veprim të tillë dhe s’do ta bëja kurrë. Ne na njohin të gjithë dhe e dinë çfarë familjeje jemi. Asnjë nuk e beson atë.

Nusja ka pohuar se qëllimi i saj ishte t’ju helmonte juve dhe jo bashkëshorten tuaj…
Edhe kjo nuk është e vërtetë. Gotën e kosit ia kërkoi vjehrra e saj dhe jo unë. Pra, si paska mundësi që donte të më helmonte mua?! Të gjitha janë sajime të sajat. 

Ajo hodhi poshtë ndershmërinë tonë, abuzoi me mirësinë tonë dhe po na ngarkon me një faj që s’e kemi bërë dhe s’do ta bënim kurrë. Në këtë mes, fajtorja e vetme është pikërisht ajo. Ne e kemi respektuar më shumë sesa meritonte, e kemi falur për të gjitha gabimet që ka bërë.

Për çfarë gabimesh e keni fjalën?

Nusen ne e kemi marrë me shkuesi, pra në mirëbesim. Pikësëpari, ajo nuk doli vajzë… E dyta, ajo vazhdonte të mbante lidhje me dashnorin e saj edhe pas martese. 

Madje, kur u fejua me djalin, tetë muaj më parë shtëpinë tonë e sulmuan me armë zjarri. Duket akoma te dera shenja e plumbit. Dashnori i saj nuk e duroi dot faktin se ajo do të bëhej e dikujt tjetër dhe qëlloi me armë në drejtim të shtëpisë sonë, por fatmirësisht na ruajti Zoti dhe shpëtuam, ashtu siç shpëtuam edhe këtë radhë.

Po thoni se nusja nuk ishte e virgjër? Ju nga e dini këtë?
Jam i sigurt. Jam i sigurt se i kam lexuar vetë SMS-të në telefon. 

Ai vazhdonte t’i shkruante edhe kohët e fundit me “shpirti-zemra”. Kjo i thoshte “unë nuk kam sy për tjetër mashkull përveç teje”. I kam SMS-të në telefon dhe ia kam vënë në dispozicion policisë. 

Edhe letrat e dashurisë që shkëmbente me të, edhe ato ia dorëzova policisë. E fala për të gjitha këto gabime. I thashë mblidh mendtë dhe përkushtoju burrit dhe familjes së re, mos e ki mendjen për dashuriçka.

Këto i kemi diskutuar edhe me babain e saj, Baftjar Tanushin. Fajin kryesor e ka ai. Na ka dalë nga llafi, duhet të mbajë përgjegjësi.

Po djali juaj, bashkëshorti i nuses, është në dijeni të këtyre detajeve?

Djali na tha vetë që nuk ishte vajzë… ndërsa për këto të tjerat nuk e kemi vënë në dijeni, pasi kërkonim që të mos ndaheshin. 

Edhe për faktin se deshi të helmonte nënën e tij nuk i kemi treguar, i kemi thënë që vajza është larguar për te prindërit e saj, pasi nuk donte të jetonte më me ne këtu në fshat. Po presim të vijë djali nga Greqia.

Po nëse djali kërkon që ajo të rikthehet në shtëpi, çfarë qëndrimi do të mbani ju si prindër?

Ajo nuk ka më vend në këtë shtëpi. Ky është një kapitull i mbyllur. Ne nuk e pranojmë më si nusen tonë atë. Ia falëm dashuriçkat, por helmimin nuk ia falim dot. 

Supozojmë se e pranuam, por a mund të jetohet në të njëjtën shtëpi me një person që donte të të helmonte?! Kështu që kjo histori quhet e mbyllur dhe ne nuk duam të kemi asnjë kontakt me ata njerëz. 

Ia kemi lënë në dorë drejtësisë dhe shteti të bëjë çfarë të dojë me të, në daç ta dënojnë në daçin le ta nxjerrin. Unë di të them vetëm një gjë: nëse pretendimi i saj se e kam përdhunuar del i vërtetë, që s’ka shans, unë do të bëj 50 vite burg, madje do të bëj edhe burgun e saj.