Ndërsa në vend temperaturat kanë kaluar 40 gradë, banorët e një pjese të Vizbegut kanë mbetur pa asnjë pikë uji për pije. Të nxehtin tropikal banorët po e përballojnë me shumë vështirësi duke mbushur shishet e plastikës dhe kovat tek të afërmit e tyre.  Mungesën e ujit, banorët e rrugës “3” të Vizbegut thonë se ndjejnë tashmë 15 vjet kur me vendim  të Komunës së Butelit është këputur gypi prej ku furnizoheshin me ujë këta banorë me qëllim që të lidhen me në një gyp tjetër, i cili tash rezulton se është i pamjaftueshëm për rreth 80 shtëpi të kësaj rruge.

 Ajo që kërkojmë ne si banorë të kësaj lagje ku numri i shtëpive është mbi 80 është që të na lejojnë një qasje në rrjetin e Vizbegut të epërm pasiqë janë ndërtua atje disa bazene dhe atje ka ujë të mjaftueshëm dhe të tepërt. Pardje, kanë ardh dhe e kanë mat vet prej “Ujsjellësit” edhe kanë thënë që mjafton ajo shtypje e ujit për gjithë lagjen. Mirëpo, problemi është se askush nuk e merr guximin që të na lidh neve me atë rrjet origjinal ku kemi qenë të lidhur- thotë një banor i Vizbegut.

 Drejtori i “Ujsjellësit” ka thënë nuk ka ujë për ato se nuk paguajnë. Unë, së pari i paguaj faturat, mi ndalin në firmë dhe pastaj e mar rrogën. Unë për të tjerët nuk jam rojtar se kush paguan e kush jo. Kemi foshnje që kanë lindur para dy javësh, të moshuar e të sëmurë, nuk mund të jetojnë pa ujë- ankohet një banor tjetër.

Ka shtëpi që nuk ka ujë 24 orë, faturat a paguajnë a nuk paguajnë ka përmbarues “Ujsjellësi”, ne nuk jemi të obliguar ta dimë se kush paguan e kush j . Pa dallim a paguan a jo, ujë duhet të ketë, më ligj nuk mundet me ndërpre ujin Ujsjellësi edhe nëse nuk e paguan, me ligj nuk ka të drejtë. Mirëpo, tash ligji nuk funksionon, vjen edhe ta ndal ujin- ankohet një tjetër banor.

Banorët shprehen të revoltuar edhe për shumën e faturave që duhet të paguajnë për ujin që nuk e shfrytëzojnë. Ata, madje paralajmëruan protesta dhe bllokim të rrugëve.

Brenda 24 orëve ne kemi vetëm 2 litra ujë, a faturat na vijnë ta paguajmë rreth 2.700 denarë. Kur po ankohemi ne po na thonë keni ujë, ai uji nuk është te ne..Për shkak të parqeve që po ujiten ne nuk kemi ujë, ai uji automatikisht duhet të vijë këtu poshtë dhe jo atje lart..Fëmijët më shumë i marrim me vete, nuk kemi ku i lëmë këtu, shikoni çfarë pluhuri, katastrofë është, nuk ka jetë normale- thotë një banor.

 Në qoftë se për 7 ditë nuk zgjidhet ky problem ne do ta bllokojmë komunën e Butelit, Ujsjellësin dhe bulevardin Slloveneçka. Kemi njerëz të sëmurë, me paralizë, ka fëmijë të vegjël e s’ka ujë. E para pikë dalin në sokak krejt pluhur këtu, nuk kemi asfalt, dalin jashtë e bëhen me pluhur, ku ke me la atë fëmijë. Ne nuk jemi duke kërkua as salla sportive, as tenisi e as kurrgjë tjetër- paralajmëron një banor.

Përveç mungesës së ujit, banorët në fjalë përballen edhe me shumë probleme të tjera infrastrukturore si mungesa e asfaltit në rrugë dhe ndriçimi rrugor. Lidhur me këtë problematikë, deri në këtë edicion nuk dhanë përgjigje as nga Komuna e Butelit e as nga Ujsjellësi dhe Kanalizime./alsat-m