Është vetëdorëzuar në polici autori i vrasjes së mjekut 42-vjeçar Ilir Alija, ngjarje e ndodhur më 1 korrik në Shkodër.

Dritan Ymeri 29 vjeç është vetëdorëzuar në polici gjatë ditës së sotme, ndërsa siç bëhet e ditur nga blutë e Shkodrës, ka pasur negociata të pandërprera nga familjarët e tij. Ata kanë bashkëpunuar me policinë dhe i kanë kërkuar djalit të dorëzohet për tu përballur me drejtësinë.

Viktima dhe autori banonin në katin e tretë. Shkak për krimin dyshohet të ketë qenë një konflikt për shtesë kati në banesë e cila po ndërtohej nga Ilir Alija.

Gjatë kësaj jave, policia e Shkodrës, mbështetur edhe nga Policia kufitare dhe drejtoritë e qyteteve të tjera, kishte kryer kontrolle të shumta, duke e vënë në pozitë të vështirë autorin për tu arratisur. Në këto kushte, ai është vënë para autoriteteve me dëshirën e tij. Në fakt, natën e ngjarjes së rëndë, kur 29-vjeçari vrau me tre plumba fqinjin e tij për çështje pronësie, autori mundi ti largohej policisë duke përfituar nga errësira, ndërsa uniformat blu mendonin se e mbanin të rrethuar në ndërtesën ku ndodhi krimi.

Gjykata e Shkodrës kishte caktuar në mungesë ndaj tij  masën e sigurisë ” Arrest në burg” për veprën penale “Vrasje me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.