Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka komentuar ofrimin e Vetëvendosjes me LDK-në, dy parti të cilat Veseli ka bërë përgjegjëse për stagnimin e Kosovës në tri vitet e fundit.

“Mirë është që kanë bërë koalicion Vetëvendosje dhe LDK, për arsye se janë dy parti që për tri vite e kanë bllokuar Kosovën, njëra pa asnjë vendimmarrje duke pasur edhe mandatin e Qeverisë dhe tjetra, e cila po dëshmon secilën ditë se për pushtet është e gatshme për të ndërruar çdo qëndrim dhe të bëjë çdo gjë vetëm që të arrijë në majën e pushtetit”, ka thënë Veseli në një intervistë për KosovaPress.

Megjithëkëtë, lideri i PDK-së, është shprehur i bindur se më 3 gusht do të formohen institucionet e reja të Kosovës me mandat katër vjeçar.

“Ajo çfarë i duhet Kosovës nuk është bllokada, nuk është gjuha e urrejtjes, nuk është mentaliteti që të shihet vetëm zi, por i duhet më shumë lidership vendimmarrës dhe që arrinë t’i sjell Kosovës më shumë progres. Mentaliteti i ndërtuar në politikë që përmes akuzave dhe toksikimi i ambientit që po ndodh veqanërisht nga margaritarët e forcave politike të cilat vijnë pikërisht nga këto dy parti nuk janë duke i ndimuar Kosovës”, ka thënë Veseli.

Global