Pala serbe ka marrë një vendim të çuditshëm në pikëkalimin kufitar në Mutivodë, e që po u nxjerr shumë telashe shtetasve të Kosovës që duan të kalojnë me automjete në territorin serb.

Pagesa prej 3.5 eurosh për marrjen e targave provuese, vetëm në këtë pikë kufitare, duhet të bëhet me dinarë të Serbisë, veprim që nuk aplikohet në pikat e tjera kufitare si në atë të Merdarit. Për këtë çështje, nuk flet askush.

Një vendim i autoriteteve të Serbisë, për pikën kufitare në Mutivodë, që ndan Kosovën me këtë shtet fqinj, po u shkakton telashe qytetarëve kosovarë, raporton RTK.

Ka dy ditë që asnjë qytetar i Kosovës që në automjet ka targat RKS, nuk mund t`i zëvendësojë ato me targat provuese, pasi pagesën prej 3.5 eurosh duhet ta bëjë më dinarë.

Pagesat bëheshin me euro, por vendimi për mbylljen e një pike bankare në territorin serb që funksiononte si këmbimore, po u sjell telashe qytetarëve të Kosovës.

Përveçse nuk kanë asnjë njoftim për këtë ndryshim të njëanshëm, qytetarët detyrohen të kthehen në Graçanicë për t`i shndërruar eurot në dinarë.

Të vetmin njoftim që qytetarët e Kosovës mund të shohin se pagesa për tabelat provuese bëhet më dinarë e jo në euro, mund ta shohin kur të arrijnë në këtë pikë kufitare që nga Prishtina është 34 km.

Pjesëtarët e policisë kufitare të Serbisë e konfirmojnë këtë ndryshim, por nuk pranojnë të deklarohen para kamerës.

Ndërkohë, edhe pjesëtarët e policisë së Kosovës në këtë pikë kufitare e konfirmojnë këtë ndryshim në mënyrën e pagesës për targat serbe, por nuk mund të bëjnë asgjë.

Sidoqoftë, një situatë e tillë nuk është në pikën tjetër kufitare që ndan Kosovën e Serbinë, atë në Merdar.

Aty të mërkurën lëshoheshin targat prova pa asnjë telashe kurse pagesa bëhej me euro.

RTK ka provuar të kontaktojë zyrtarë të Ministrisë për Dialog, por kjo të mërkurën ishte e pamundur.

Ndërkohë, bazuar në marrëveshjen e Brukselit, kalimet e kufirit ndërmjet Kosovës e Serbisë mund të bëhen vetëm me letërnjoftime, kurse për kosovarët që hyjnë me automjete në serbi, targat RKS zëvendësohen me ato provuese, veprim që nuk vlen për ata të Serbisë që hyjnë me targat serbe në Kosovë.