Pas një sëmundje të shkurtër, ka ndërruar jetë në Gjermani, më 4 korrik 2017, veterani i UÇK-së, Xhafer Noci, nga Dujaka e Gjakovës.Varrimi i të ndjerit pritet të bëhet në vendlindjen e tij. I ndjeri pas vetes ka lënë prindërit, vëllezërit, nusen dhe katër fëmijë.

Xhafer Ismet Noci, i lindur më 10 qershor 1973 në fshatin Dujakë të Komunës së Gjakovës, në vitet ’90 së bashku me familje kishte migruar në Leverkusen të Gjermanisë. Pas fillimit të luftës në Kosovë, ai ka lënë fëmijët dhe nusen në Gjermani dhe është kthyer në Kosovë dhe u është bashkëngjitur radhëve të UÇK-së në prill të vitit 1998, fillimisht në fshatin e tij të lindjes, më pas, sipas nevojës, edhe në Gllogjan dhe në Rekë të Keqe, përkatësisht në fshatin Nivokaz.

Noci është dalluar në të gjitha betejat e zhvilluara dhe ka qenë një ndër ushtarët më sypatrembur dhe guximtar e trim. Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Vlerat e Luftës dhe pas verifikimit të luftëtarëve të lirisë, ai ka marrë certifikatën e Veteranit Luftëtar të Zonës Operative të Dukagjinit.