Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do ta vazhdojë mbledhjen në të cilën debatohet rreth kërkesës së LSDM-së që prokurori publik shtetëror, Marko Zvërlevski të shkarkohet nga detyra. Zëvendësminsitri i Drejtësisë, Oliver Ristovski në fillim të debatit dje arsyetoi se propozimi për shkarkim është për shkak të ushtrimit të paligjshëm, të pasaktë dhe dhe me profesionalizëm të pamjaftueshëm të funksionit.

“Për fat të keq Prokurorinë Publike Shtetërore prej janarit të vitit 2013 e deri më sot e përfaqësonte personi i cili për tërë mandatin e vet të deritanishëm e kryente detyrën e vet në mënyrë të pandërgjegjshme dhe joprofesionale dhe nuk e respektonte ligjin me konsekuencë”, tha Ristovski dhe, mes tjerash, shtoi se në vend që të kujdeset për të drejtat dhe liritë e njeriut e përfaqësonte Prokurorinë Publike me heshtje dhe mosndërmarrje të kurrfarë veprimeve kundër krimit.

Në paraqitjen e tij para deputetëve Zvërlevski dje tha se në katër vitet e shkuara ka punuar me përgjegjësi, në bazë të ligjit, Kushtetutës dhe rregullave të Prokurorisë publike.

Në diskutim, deputetët e VMRO-DPMNE vlerësuan se qëllimi i kërkesës së LSDM-së për shkarkimin e marko Zvërlevskit është revanshizmi i liderit të tyre dhe kryeminsitrit Zoran Zaev sepse prokurori publik kundër tij i ka ngritur aktakuzat për lëndët “Puçi” dhe “Mitmarrja”.

Petre Shilegov nga LSDM ndërkaq theksoi se Zvërlevski nuk ka arritur ta ruajë Republikën e Maqedonisë nga politikanët, ka mbrojtur krimin dhe se paaftësia e tij nuk është vetëm konstatim politik nga ana e partisë së tyre, por konstatim të tillë, tha ai, shteti ka marrë pothuajse në të gjitha raportet nga institucionet relevante ndërkombëtare.