Gjermania nisi të hënën largimin e trupave të saj nga baza ushtarake ajrore turke e Inçirlikut dhe zhvendosjen e tyre në bazën e Azrakut në Jordani.

Janë mbi 260 ekspertë dhe trupa ushtarake, krahas një numër avionësh të stacionuar në këtë bazë gjatë viteve të fundit, në mbështetje të bombardimeve të koalicionit ushtarak të drejtuar nga amerikanët, kundër objektivave të Shtetit Islamik në Siri e Irak.

Gjermania ka një numër avionësh Tornado, që kanë pasur si detyrë eksplorimin e terrenit dhe zbulimin e pozicioneve të xhihadistëve.

Disa avionë përdoren për furnizimin me karburant të avionëve të tjerë bombardues të aleancës.

Por muajin e kaluar, parlamenti gjerman vendosi të tërheqë trupat nga kjo bazë, pasi autoritetet turke kanë refuzuar vazhdimisht, kërkesat e deputetëve gjermanë për të vizituar trupat gjermane në këtë bazë.

Refuzimet e autoriteteve turke, në të vërtetë kanë qenë pasqyrim i tensioneve diplomatike në rritje mes dy vendeve, që e kanë zanafillën që qershorin e kaluar, kur parlamenti gjerman vendosi të njohë si gjenocid, vrasjen e 1.5 milionë armenëve nga ushtria osmane në vitin 1916.

Mosmarrëveshjet janë thelluar edhe grushtin e dështuar ushtarak të korrikut të vitit të kaluar në Turqi, kur Gjermania dhe perëndimi akuzuan Ankaranë për metodat brutale të përdorura për shtypjen e kundërshtarëve politike, veçanërisht mbështetësve të lëvizjes Gylen, të akuzuar si organizatorë të grushtit të shtetit.

Largimi i trupave gjermane nga baza ajrore turke shënon një tjetër regres në marrëdhëniet mes dy aleatëve të rëndësishëm të NATO’s.