Universiteti i Tetovës, përkatësisht Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, sot me aktivitete të ndryshme e festuan 241 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për nder të kësaj date historike për popullin amerikan, Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, e themeluar nga Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Ilinoisit Verior i SHBA-ve, organizoi debatin shkencor, me temë: “Ndikimi i politikës amerikane në demokratizimin e politikave dhe institucioneve të Republikës së Maqedonisë”.

Koordinatorja e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor në Universitetin e Tetovës, zonjusha Artina Kamberi, në hapjen e këtij debati deklaroi se në kalendarin e ditëve të shënuara në Universitetin tonë, tanimë është shtuar edhe Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Sot, ne kemi një arsye më shumë për ta kujtuar dhe nderuar këtë ditë të shënuar me aktivitete shkencore, sportive dhe të tjera, sepse Shtetet e Bashkuara i konsiderojmë si pjesë integrale të së shkuarës sonë, të tashmes dhe me patjetër të ardhmes. Jo më larg se dy vjet më parë, Universiteti i Tetovës bëri ndoshta njërin nga veprimet më konkrete, apo për të thënë më saktë strategjike, lidhi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Ilionisit Verior, prej ku edhe njëherë bindshëm e trasoi rrugën e vërtetë të demokracisë dhe atë të promovimit të vlerave amerikane. Universiteti i Tetovës, në mënyrë proaktive dhe më shpejtë se të tjerët e kuptoi se paqja dhe stabiliteti nuk janë lukse të kohës, por janë nevoja e saj dhe një prioritet i pakontestueshëm. Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, si projekt i përbashkët i këtyre dy institucioneve, është vetëm një segment prej ku do te importohet demokratizimi i vlerave nacionale, për t’u hapur më pas porta e madhe e gërshetimit të ideve, kapaciteteve dhe kulturave. Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, në fakt na e vërtetoi edhe njëherë hipotezën e ngritur që shqiptarët dhe amerikanët kanë një sinergji të pashpjegueshme dhe ne me mbështetje të tanimë aleatit tonë mund të bëjmë vepra të mëdha. Ky moment, ndoshta është dhe treni i fundit që destinacion ka globalizimin, por me vendosmëri ne do t’ia dalim, do të ngjitemi pas tij, ndoshta dhe te vagoni i fundit, por nuk do ta lëmë të ik pa ne”, tha zonjusha Artina Kamberi.

Presidenti i Këshillit Euro – Atlantik në Maqedoni,  Ismet Ramadani tha se falë kontributit dhe ndihmës së  diplomacisë amerikane dhe asaj evropiane, Republika e Maqedonisë arriti që të kalojë disa momente të vështira pas pavarësimit të saj. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe diplomacia amerikane gjithmonë e kanë dhënë kontributin e tyre politik dhe diplomatik në Republikën e Maqedonisë, që nga fillimet e pluralizmit e deri më sot. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intervenuar dhe kanë pasur ndikim tepër të madh në shumë raste, por unë do ta përmendi konfliktin e vitit 2001, ku SHBA-të kanë qenë garantues të paqes, por edhe në momentet e fundit, në krizën politike që zgjati gati më shumë se dy vjet në vend dhe përsëri rol të rëndësishëm luajtën Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjidhjen dhe tejkalimin e kësaj krize dhe këtu do ta veçoj edhe angazhimin e znj. Viktoria Nuland dhe z. Brajan Hojt Ji”, tha Ismet Ramadani.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani tha se me organizimin e këtij debati me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, Universiteti i Tetovës bën një gjest tepër të madh në shenjë respekti dhe falënderimi ndaj  Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për rolin e rëndësishëm që kanë luajtur në avancimin e çështjes shqiptare në Republikën e Maqedonisë, që nga pavarësimi i saj e deri më sot. “Shtetet si Maqedonia asnjëherë nuk duhet ta harrojnë kontributin amerikan në ndihmesën e madhe që kanë dhënë në demokratizimin e shoqërisë në përgjithësi. Ndikimi i politikës amerikane në demokratizimin e Republikës së Maqedonisë nuk mund të ndodh pa sqaruar masat e politikës së jashtme amerikane”, tha Naser Selmani.

Profesori universitar, Prof. Dr. Mersel Bilalli tha se lidershipi politik në Maqedoni, por edhe institucionet publike dhe private duhet që si model bazë për realizimin e politikave të shëndosha ta marrin diplomacinë amerikane. “Politika amerikane ndërtohet mbi vlera të caktuara, pavarësisht asaj se kush do të udhëheqë me lidershipin. Në vendin tonë e patëm një pushtet që tentonte të instalojë një sistem diktatorial, sistem ky që ishte në kundërshtim me vlerat amerikane.  Mendoj se pushteti i ri duhet të reflektojë mbi parimet dhe vlerat e demokracisë perëndimore”, tha Prof.  Dr. Mersel Bilalli.  Ndërsa, Prof. Dr. Veton Latifi tha se Republika e Maqedonisë ka fatin e madh që ka shqiptarët pjesë përbërëse të saj dhe që ka aleat SHBA-të. “Mendoj se vendi ynë ka dy fate të mëdha sa i përket ndikimit të politikës amerikane në demokratizimin e politikave dhe institucioneve. E para është se ka shqiptarët pjesë përbërëse të saj dhe e dyta është se ka aleat Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Propaganda ruse në Maqedoni është mjaftë e madhe, por ajo gjithmonë është boshe përballë propagandës amerikane, e cila në çdo moment është pragmatike, argumentuese dhe materializuese”, theksoi Prof. Dr. Veton Latifi.

Profesori Doc. Dr. Qashif Bakiu tha se në të gjitha momentet më të vështira për Maqedoninë diplomacia amerikane ka qenë prezentë dhe aktive për të siguruar stabilitetin politik dhe ekonomik. “Nëpërmjet stafit të rregullt diplomatik, por në mjaft raste edhe duke dërguar përfaqësues të posaçëm, SHBA e ka ndihmuar Maqedoninë që t’i tejkalojë vështirësitë me të cilat është ballafaquar. I tillë ishte rasti i vitit 2001, i cili përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit, e tillë ishte kriza politike nga viti 2014, që çoi deri në publikime e përgjimeve dhe që gjeneroi një krizë politike që zgjati deri në vitin 2017, dhe që përfundoi me Marrëveshjen e Përzhinës. Të tilla ishin krizat politike të vitit 2008, 2011, 2014, që gjeneruan zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në të gjitha këto raste, diplomacia amerikane me përfaqësuesit e saj ka qenë prezent për të lehtësuar zhvillimin e proceseve dhe për zhbllokimin e krizave të krijuara në vend. Demokracia lindi në Evropë, por u jetësua në Amerikë”, deklaroi Doc. Dr. Qashif Bakiu.  Profesori Bashkim Selmani shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shteti simbol i botës, lirisë demokracisë dhe politikës paqedashëse. “Ne sot, këtu në hapësirat e Universitetit të Tetovës, në shenjë respekti për këtë datë madhështore jemi tubuar që bashkërisht të kremtojmë dhe ua japim mirënjohjen më të madhe shpirtërore dhe falenderuese SHBA-ve që jetësuan dhe vunë në funksion lirinë, demokracinë dhe politikën paqedashëse në hapësirat shqiptare dhe ato ballkanike”, shtoi Prof. Dr. Bashkim Selmani.

Po ashtu, Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, përveç debatit shkencor gjatë paradites organizoi edhe një turnir të Beach Volleyt. Në këtë turnir morën pjesë studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike, ndërsa për katër vendet e para u ndanë edhe mirënjohje. Turniri u ndoq nga një numër i madh sportdashësish, në mesin e të cilëve ishin edhe Rektori i UT-së, Prof.Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Reshat Qahili, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, Kryetarja e Parlamentit Studentor të UT-së, zonjusha Donika Kamberi, dekanë, senatorë dhe studentë.