Në Stadiumin Filipi II-të në Shkup, njësoj sikur sot do të mbizotëroj heshtja edhe më 5 shtatorë, për shkak se ndeshja futbollistike ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë do të luhet në Strumicë.
UEFA ka miratuar kërkesën e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, që për shkaqe sigurie ndeshja mes këtyre dy shteteve fqinje, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror Rusia 2018, të mos luhet në kryeqytet, por në një qytetet periferik lindor.
Nga FFM nuk duan të komentojnë vendimin për dislokimin e kësaj ndeshje. As nënkryetari Muhamet Sejdini e as anëtarët shqiptar të Komitetit ekzekutiv në këtë federatë nuk dhanë përgjigje se kush e nënshkroi ankesën e adresuar në qeverinë evropiane të futbollit.
Në reagimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, thonë që ndonëse stadiumi “Mladost” nuk i plotëson kushtet e UEFA-s për një ndeshje të këtij niveli, ata vendosën të zgjedhin të keqen më të vogël.
“Pas inspektimit të grupit të punës, UEFA vendosi që për arsye sigurie ndeshja zyrtare eliminatore e shtatorit MAQEDONI-SHQIPËRI të luhet në stadiumin e Strumicas, dhe jo në Shkup, pasi që në argumentin e tyre, ata kishin më shumë primare garancinë e sigurisë për tifozët se sa kushtet, gjë për të cilën ishin më shumë të sigurtë në Strumica, se sa në Shkup”.
Duket se organizatorët vendas donin të shmangnin praninë e tifozëve shqiptarë në përpalljen e 5 shtatorit, të shqetësuar se mund të kishte përleshje me ultrasit maqedonas, aq më tepër në këtë situatë të nxehtë ndëretnike në Maqedoni, thonë nga “Tifozët Kuq e Zi”.
“Ne si tifozë gjithsesi do të shkojmë në Strumicë, por ky dislokim ka qenë tendencioz. Ne e kemi pritur këtë vendim të federatës, se normalisht në Shkup do të ishin kushtet më të mira, ata e kanë çuar në Strumicë, por neve nuk na pengon. Ndoshta do të jemi më pak, por më të zhurmshëm e më të motivuar do të jemi. Ne si tifozë Kuq e Zi çdo herë ndeshjet e kombëtares i kthejmë në festë. Do të shkojmë në Strumicë të festojmë pavarësisht se çka do të ndodhë”, tha Brezar Dibra, Përfaqësues i “Tifozëve Kuq e Zi”.
Stadiumi “Filipi II” në Shkup ku janë të parapara të zhvillohen ndeshjet zyrtare, ka një kapacitet prej 33,460 ulëseve, kurse stadiumi “Mladost” i Strumicës ka vetëm 6.500 ulëse.
Përballja e fundit në grupin G mes Maqedonisë dhe Shqipërinë u zhvillua me 5 shtatorë të vitit të kaluar në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku përfundoi me rezultat 2:1 në favor të Shqipërisë.
Aktualisht, Shqipëria ndodhet në vendin e tretë në renditjen e grupit eliminator të Botërorit, me 9 pikë, kundrejt 3 pikëve të Maqedonisë që është e parafundit.