Rreth 30 shtetas shqiptarë, të cilëve iu është refuzuar kërkesa për azil në Francë, u riatdhesuan pasditen e sotme me një avion të posaçëm në aeroportin “Nënë Tereza”.

Procesi u ndoq edhe nga atasheu i sigurisë së ambasadës franceze në Tiranë, ndërsa autoritetet shqiptare u bëjnë apel qytetarëve mos t’i shohin si mundësi kërkesat për azil, pasi pranimet do të jenë zero.

“Ne e përsërisim disa herë si Ministri e Brendshme, si qeveri shqiptare se mënyra e aplikimit për azil në vendet e Bashkimit Europian nuk miratohet për shqiptarët, sepse Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt. E thënë me fjalë më të thjeshta do të thotë se shanset e përfitimit nga shtetas shqiptarë të azilit ekonomik apo politik në hapësirën e vendeve të BE, janë zero”, deklaroi zv.ministri i Brendshëm, Stefan Çipa.

“Ne vazhdojmë në mënyrë intensive bashkëpunimin me të gjithë partnerët, por edhe me të gjitha shtetet e tjera të Bashkimit Europian, të cilët e kanë bërë mëse të qartë se azilkërkimi në vendet e Unionit është i pamundur. Ndaj dhe në këtë kuadër, të gjithë shtetasit shqiptarë të cilët marrin iniciativën ose cënojnë dhe nuk respektojnë rregullat e zonës Schengen janë të detyruar të kthehen dhe të riatdhesohen në Shqipëri, duke krijuar një kosto të jashtëzakonshme jo vetëm për familjet dhe për vetë ata në aspektin financiar, por edhe një kosto të madhe lidhur me të gjithë qytetarët dhe shtetasit shqiptarë të cilët mezi presin integrimin dhe futjen e Shqipërisë në BE”, tha nga ana tjetër drejtori i përgjithshëm i policisë, Haki Çako.

Numri më i lartë i azilkërkuesve shqiptarë vitet e fundit ka rezultuar në Gjermani.