Asambleja e Përgjithshme e Parlamentit të Turqisë ka ratifikuar mocionin e kryeministrisë për zgjatjen edhe për tre muaj të gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi, që do të hyjë në fuqi nga data 19 korrik, ditën e mërkurë, raporton Anadolu Agency (AA).

Debati rreth zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme hyri në rendin e ditës së parlamentit gjatë ditës së djeshme, pasi paraprakisht ishte propozuar në Këshillin e Lartë të Sigurisë nga ana e kabinetit të kryeministrit.

Mocioni u mbështet nga votat e deputetëve e partisë në pushtet për Zhvillim dhe Drejtësi (AKP) dhe partia opozitare Lëvizja Nacionaliste (MHP).

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri Binali Yıldırım dhe kreu i MHP-së Devlet Bahceli kishin sinjalizuar në fjalimet e tyre më parë se gjendja e jashtëzakonshme do të zgjatet.

Ndryshe, Turqia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme më 20 korrik të vitit 2016, pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik të atij viti.

Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, Kabineti ka të drejtë të nxjerrë dekrete statutore nën presidentin e republikës, pa procedurat rutinë dhe kufizimet në nenin 91 të Kushtetutës së vendit. Këto dekrete së pari publikohen në ‘Gazetën zyrtare’ dhe më pas i dorëzohen parlamentit për ratifikim.