Kosova vazhdon të ketë rritje të interesimit të turistëve, por çalon shumë në një numër çështjesh të nevojshme për këtë sektor.

Njohës të kësaj fushe thonë se nuk ka asnjë gatishmëri nga institucionet për t’u angazhuar në rritjen e kapaciteteve dhe plotësimin e kushteve për turizëm. Madje vlerësojnë se në këtë fushë ka vetëm stagnim. Një hulumtim i bërë nga Instituti Demokraci për Zhvillim ka nxjerrë në pah një numër të madh problemesh me të cilat ballafaqohet Kosova në këtë fushë, raporton KTV.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë deri para pak kohësh ka funksionuar Departamenti për Turizëm, por që tash funksionon vetëm si divizion.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës vitin e kaluar janë identifikuar gjithsej 495 njësi akomoduese, prej tyre 464 njësi aktive.

Sa u përket bujtjeve, numri i vizitorëve ishte 36.080, prej tyre 72.78 % janë nga të huajt që pjesa më e madhe e tyre kanë qenë nga Shqipëria, Turqia, Gjermania, etj.