Presidenti i SHBA-së Donald Tramp deklaroi se nuk e akuzon djalin më të vjetër për shkak të takimit me avokaten ruse Natalija Veseljnickaja dhe vlerëson se “shumë veta do ta realizonin atë takim”.

I pyetur nëse ka ditur për atë takim, Tramp u përgjigj negativisht.

“Jo, këtë nuk e dija deri para disa ditëve kur dëgjova për këtë”, deklaroi Tramp. Djali i tij dje tha se u pajtua për takim me grua, për të cilën i është thënë se është avokatja e qeverisë ruse dhe e cila do të mund të ketë informata të dëmshme për Hilari Klinton.

Tramp përsëriti se në samitin e G-20-shit, drejtpërdrejtë e ka pyetur presidentin rus Vlladimir Putin nëse ka qenë i involvuar në atë që shërbimet zbuluese të SHBA-së e quajnë involvim rus në zgjedhjet presidenciale amerikane, gjë që Putini e ka demantuar.

“E pyeta nëse ti këtë e ke bërë? Ai tha – jo. Absolutisht jo. Pastaj edhe për herë të dytë e pyeta në mënyrë tjetër. Ai tha – absolutisht jo”, deklaroi Tramp.