Bashkëpronari i Microsoftit, Bill Gates, ka rimarrë titullin e më të pasurit në botë me një pasuri vlera e të cilës është 89.8 miliardë dollarë

Pas vetëm 8 orësh themeluesi i Amazonit, Jeff Bezos, humbi titullin e “më të pasurit në botë”, si pasojë e të hyrave të dobëta të cilat ulën vlerën e aksioneve të kompanisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjigandi i tregtimit online, tha se në kuartalin e dytë të vitit, të hyrat neto kanë regjistruar 197 milionë dollarë, që është një ulje shumë e madhe nga 857 milionë dollarët që kanë hyrë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Të hyrat e përgjithme të kompanisë kanë shkuar në 38 miliardë dollarë nga 30.4 miliardë sa ishin më parë, por kjo ishte e pamjaftueshme që Bezos të mbajë titullin e më të pasurit në botë.

Çmimi i aksioneve të Amazonit ka shënuar një rënie prej 3.2 përqind, më konkretisht në 1.020 dollarë për një aksion.

Bezos, që ka në pronësi të tij 17 për qind të aksioneve në Amazon, aktualisht peshon 88.7 miliardë dollarë, qëndron në rangimin e fundit të magazinës Forbes.

Bashkëpronari i Microsoftit, Bill Gates, ka rimarrë titullin e më të pasurit në botë me një pasuri vlera e të cilës është 89.8 miliardë dollarë.

Amazoni mbetet kompania e katërt në botë për sa i përket kapitalit, ndërkohë që menjëherë pas tij gjendet Facebooku.

Analistët thonë se Facebook mund të tejkalojë Amazonin në vlerën e tregut, nëse aksionet e kësaj të fundit vazhdojnë të bien të premten.