Tri partitë politike, PDK, AAK dhe Nisma në zgjedhjet e 11 qershorit garuan si koalicion parazgjedhor dhe kjo do të iu kushtoj këtyre subjekteve me uljen e numrit të përfaqësuesve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Deri më tani PDK ka dy përfaqësues në KQZ, ndërsa AAK e Nisma kanë nga një përfaqësues, por në të ardhmen këto tri subjekte do të kenë vetëm dy përfaqësues, aq sa do të kenë edhe Vetëvendosje dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa.

Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është duke planifikuar që të kërkoj sqarim nga Gjykata Kushtetuese rreth çështjes së grupeve parlamentare dhe përfaqësimit të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Burime të lajmi.net thonë se presidenti do të kërkoj sqarim nga kushtetuesja që në rast se pas zgjedhjeve formohen grupe të reja parlamentare, a duhet të kenë përfaqësues në Komisionin Qendror Zgjedhor KQZ dhe Kuvendet Komunale Zgjedhore (KKZ), apo përfaqësimi vlen vetëm për grupet parlamentare që kanë dal nga zgjedhje.

Kështu, Gjykata Kushtetuese do të sqaronte se a do të ketë koalicioni PDK-AAK-Nisma përfaqësues të përbashkët, apo nëse ndonjëra prej këtyre partive formon grup të veçantë parlamentar, a do të ketë përfaqësues të vetin në KQZ dhe nëpër KKZ. /Lajmi.net/