Emërtohet Avokat i Popullit, por populli nuk e di se ku gjendet zyra e tij. Ku ndodhet zyra e institucionit që duhet të mbrojë të drejtat e qytetarëve në Tetovë? Me këtë pyetje iu drejtuam qytetarëve në Tetovë, por përgjigjet e tyre kryesisht janë negative, që është pasojë e promovimit të dobët të këtij institucioni të rëndësishëm të shtetit para opinionit publik.

  • A e dini se ku është zyra e avokatit të popullit në Tetovë?

Jo se dimë nuk kam digju”.

 “E nuk e di, nuk e di, e di që ka por nuk e di ku”.

 “Nuk e di, se di ku është”.

Pse ndodh kjo? Sipas Avokatit të Popullit, fajin për këtë situatë e ka Qeveria, e cila nuk ka ndarë mjete nga buxheti për këtë institucion, duke pamundësuar funksionimin e zyrës qendrore dhe zyrave rajonale. Ironike, por e vërtetë. Fondet për qiranë e zyrave sigurohen përmes projekteve që financohen nga organizatat ndërkombëtare.

Nuk kemi mjete të mjaftueshme. Ne edhe sot ndodhemi me një zyrë me qera dhe nuk kemi zyrë që na e ka dhënë pushteti por ndodhemi me qira. Në anën tjetër, nuk kemi aspak në buxhet mjete me të cilat do mund t`iu ofrohemi qytetarëve, ta promovojmë edhe veten dhe ti informojmë ata shumë më tepër për këtë institucion se çka mund të bëj Avokatii Popullit – deklaroi Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Komiteti i Helsinkit, në bashkëpunim me disa organizata joqeveritare dhe ambasadën e SHBA-së, ka ndërmarrë një nismë për vëzhgimin e funksionimit të Avokatit të Popullit në Maqedoni dhe informimin e popullatës për të. Rezultatet flasin se qytetarët shprehen skeptikë rreth ndihmës që mund ti ofrohet nga Avokati i Popullit.

Patëm fokus grupe me mediat dhe shoqërinë civile dhe nga ata morëm mendime tjera. Ata dinë për Avokatin e Popullit por nuk besojnë se ai mund t`iu ndihmojë. Po ashtu duhet pasur parasysh faktin se Avokati i Popullit pengohej në kryerjen e detyrës nga Qeveria e kaluar, sepse nuk i jepeshin fondet e nevojshme që të funksionoj si duhet, ndërsa mediat nuk raportonin sa duhet për punën e tij – tha Urania Pirovska,  Komiteti i Helsinkit.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, në letër iu shtuan kompetencat edhe Avokatit të Popullit dhe u hapën zyra gjashtë rajone të Maqedonisë. Në vit në këto zyra dhe në zyrën në Shkup mbërrijnë 4000 ankesa, 80 % e të cilave janë të bazuara për shqyrtim./alsat