Në prag të fushatës për zgjedhjet lokale ka nisur bartja e mbeturinave nga deponia jolegale në hyrje të Tetovës, pas stërmbushjes së saj, gjatë periudhës së përmbytjeve të fshatit Poroj. Ndërsa nesër do të bëhet përurimi i pikës së re për ngarkim shkarkimin e mbeturinave.

Nga Ndërmarrja publike komunale Tetova- Tetovë, sot nuk kanë pranuar që të flasin para kamerave, për fillimin me bartje të mbeturinave këtu në hyrje të Tetovës, në deponinë e egër. Nga NPK shkurt sqaruan se, deklaratë për media do të ketë nesër, sepse do të jetë ditë festive nga se do të lëshohet në përdorim, pika e re për ngarkim shkarkim të mbeturinave.

Ekipi i televizionit Alsat ka vizituar pikën e re të ngarkim shkarkimit të mbeturinave, ku nuk na u lejua që të filmojmë, ndërkohë që, po bëheshin provat e kontejnerëve të ri dhe funksionimi i tyre. Nga ajo që mundëm të vërejmë tek pika e re, problem vazhdon të mbetet edhe më tej energjia elektrike, ndërkohë që makineria e re është futur në funksion përmes gjeneratorit.

Por, edhe përkundër bartjes intensive të mbeturinave në deponinë në hyrje të qytetit, vetëm disa metra më lart, konkretisht tek ura në hyrje të Tetovës, disa qytetarë të pandërgjegjshëm vazhdojnë të hedhin material ndërtimor si dhe eshtra dhe lëkura kafshësh, që e bën këtë vend pikë të rrezikshme për përhapjen e ndonjë sëmundjeje./alsat