Kompania amerikane Tesla ka zbuluar veturën e shumëpritur elektrike më një çmim të përballueshëm. Tesla Model 3 vjen pa tabelë të instrumenteve, dhe pa çelësa.

Megjithatë, blerja e një veture të tillë, më konkretisht markën Model 3, do të mund të zgjasë me vite deri sa konsumatori të mund ta marrë atë.

Në një ceremoni në kompleksin e fabrikës në afërsi të San Francisco-s, drejtori ekzekutiv i kompanisë, Elon Musk ka zgjedhur 30 punonjës për të qenë pronarët e parë të markës Model 3.

Drejtori Ekzekutiv Musk, tha se Tesla do të prodhoj vetura më një shpejtësi maksimale, megjithatë pranoi se problemet me furnizimin dhe komplikimet tjera të shfaqura, e bëjnë të vështirë përmbushjen e objektivit të kompanisë që është 500.000 vetura të prodhuara në vitin 2018.

Me një çmim fillestar prej 35.000 dollarë amerikanë, që është gjysma e çmimit të veturës më të lirë të kompanisë Tesla nga produktet e mëparshme dhe me një mundësi të përshkoj 498 kilometra, Model 3 mund të tërheqë qindra mijëra blerës.