Sipas rezultateve të para ende jozyrtare nga matjet satelitore të cilat i kanë në dispozicion në fakultetin matematiko-natyror në Shkup, tërmetet e fundit në rajonin e Ohrit, kanë ngritur disa pjesë të Galiçicës veriore për katër deri në pesë centimetra. Alsat M mëson gjithashtu se edhe më interesante janë matjet për zhvendosjen horizontale të tokës që ka ndodhur në rajonin më të gjerë të epiqendrës së tërmeteve. Bëhet fjalë për zhvendosje prej së paku 30 centimetrave në drejtim të juglindjes.

Në disa pjesë, këto zhvendosje mund të jenë edhe deri në një metër e gjysmë.  Megjithatë sipas profesorit Ivica Milevski nga fakulteti Matematiko-Natyror, bëhet fjalë për të dhëna satelitore të cilat duhet të vërtetohen hollësisht.  Ndërkohë, në Ohër sot filluan hulumtimet e përbashkëta në liqenin e Ohrit të Institutit Hidrobiologjik nga Ohri dhe Institutit për Hulumtime Bërthamore nga Dobreceni i Hungarisë. Do të përcaktojnë përbërjen dhe vjetërsinë e ujit. Të pyetur për zhvillimet aktuale sizmike në rajon, një pjesë e pjesëmarrësve nuk konsideronin se ato kanë lidhje me prejardhjen tektonike të liqenit.

Nuk do të kërkoja lidhshmëri të drejtpërdrejtë mes liqenit  të Ohrit dhe këtyre çarjeve. Duke marrë parasysh faktin se çarjet kryesore që e kontrollojnë evoluimin e liqenit të Ohrit me zhvillimin tektonik, janë me drejtim të meridianit, përkatësisht shtrihen në drejtimin veri-jug. Ky që tani është prekur, është në drejtim krejtësisht të kundërt – deklaroi Marjan Temoski, Instituti për Hulumtime Bërthamore, Dobrecen – Hungari.

Por, profesori në pension, Zdravko Kërstanovski e mendon të kundërtën. Shprehet se nga pikëpamja historike në të kaluarën ka ardhur deri te çrregullimi tektonik i truallit, përkatësisht deri të lëshimi i basenit të Ohrit përgjatë tre linjave të çarjes. Sipas tij, ka të dhëna se fundi i liqenit ende fundoset dhe se një pjesë e linjave të çarjes, gjenden pikërisht nën liqen. Ndërkohë pjesa më e madhe prej 1.200 tërmeteve që ndodhën në 20 ditët e fundit, epiqendrën e kanë në pjesën veriore të malit Galiçica./alsat-m