Presidenti koreano-jugor u shpreh sot në Berlin për sankione të riforcuara kundër Phenianit, pas lëshimit për herë të parë të një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM), që ai e cilësoi si provokim.

“Koreja e Veriut duhet t’i japë fund menjëherë kësaj dhe për këtë arsye ne do të duhet të punojmë në kuadër të sanksioneve më intensive kundër këtij vendi”, deklaroi Moon Jae-In.

Presidenti Moon zhvilloi një konferencë shtypi me kancelaren, Angela Merkel, e cila e mbështeti këtë mundësi.

“Raketa balistike ndërkontinentale që Koreja e Veriut testoi është në gjendje të mbaje një mbushje bërthamore”, theksoi sot agjencia zyrtare koreanoveriore e lajmeve, KCNA.

Kjo pajisje, që u lëshua në çastin kur SHBA-ja po përgatitej të festonte festën kombëtare, mund të arrijë deri në Alaskë, sipas ekspertëve amerikanë.

Posedimi i një rakete balistike ndërkontinentale përbën një kthesë për regjimin komunist, që deri tani ka realizuar pesë teste bërthamore dhe ka në dispozicion një arsenal me bomba atomike.